Shefi i Amazon, Jeff Bezos e ka finalizuar divorcin e tij, duke i lënë ish-gruas së tij MacKenzie Bezos më shumë se 35 miliardë dollarë. Kjo e bën zonjën MacKenzie gruan e tretë më të pasur në botë.
Çifti njoftoi ndarjen e tyre në janar, duke i dhënë fund martesës 25 vjecare, të cilën e kishin nisur atëherë kur ndërmarrja gjigande Amazon ishte librari me porosi.
Sot, kompania vlerësohet me pothuajse 900 miliardë dollarë, dhe është punëdhënësi i dytë më i madh në SHBA.
Zonja Bezos, njoftoi në Twitter se po i lë ish burrit të saj pronësinë e gazetës Washingon Post dhe ndërmarrjes eksploruese Blue Origin.
Ajo shkroi në Twitter se ishte “e ngazëllyer” për planet e saj të ardhshme, por nuk tregoi se cilat ishin, duke shtuar se është “mirënjohëse për të kaluarën, ndërsa pret me padurim atë që po vjen pas”.