Publikimi në rrjetet sociale të fotos së djalit të tij që përshëndeste me dy gishta protestën e PD-së, ka shkaktuar edhe reagimin e deputetit socialist, Pandeli Majko.
Me anë të një mesazhi të publikuar në “Facebook”, Majko i kërkon ndjesë çdo socialisti dhe shprehet se merr përsipër përgjegjësitë si prind.
“Një foto e djalit tim e nxjerrë në rrjetet sociale nga pedagogia e tij për përkrahjen e protestës së opozitës ka krijuar keqkuptime.
Dëshiroj të marr përgjegjësinë time si prind përballë cdo socialisti dhe djemve e vajzave që besojnë tek Partia Socialiste. Sepse përgjegjësia në cdo rast është edhe e imja. Edhe, pse fotoja është bërë në një mjedis humori dhe miresjelljeje. Ka gjëra me të cilat humori është i tepërt”, – shkruan Majko në reagimin e tij.
Studenti Gjergj Majko, djali i ish-kryeministrit Pandeli Majko, është fotografuar bashkë me Nevila Xhindin dhe dy studentë të tjerë, të buzëqeshur dhe me dy gishtat lart.
Ndërsa bashkëngjitur fotos, vetë Xhindi thotë: “Me studentët…Nga Shkodra përshëndesim protestën!”