Mediat amerikane raportojnë se djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me një avokate të lidhur me Kremlinin, vitin e kaluar, pasi i janë premtuar informacione që do të dëmtonin rivalen demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, dhe udhëheqësi i atëhershëm i fushatës, Paul J Manafort, raportojnë New York Times dhe Washington Post.
Donald Trump Jr, përmes një deklarate, pranoi se ka takuar Natalia Veselnitskayan, por tha se “nuk kanë shkëmbyer informacione të rëndësishme”.
“Zonja ka thënë se ka informacione se individë të lidhur me Rusinë janë duke financuar Komitetin Kombëtar Demokrat dhe duke mbështetur Clintonin”.
“Deklaratat e saj ishtin ta paqarta dhe pa kuptim. Nuk është dhënë asnjë detaj apo informacion mbështetës. Shumë shpejt është bërë e qartë që ajo nuk ka pasur informacione kuptimplota”, tha Trump Jr, citon NewYork Times.
Trump Jr tha se Veselnitskaya, më pas, e ka kaluar bisedën te birësimi i fëmijëve rusë dhe Akti Magnistky – një ligj amerikan që sanksionon rusët e dyshuar për abuzim me të drejtat e njeriut. I zemëruar me këtë ligj, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka pezulluar birësimin e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë.
“Më është bërë e qartë se kjo ka qenë agjenda e vërtetë dhe se pretendimet për informacionet potencialisht të dobishme kanë qenë pretekst për takimin”, tha Trump Jr.
Veselnitskaya, në mesin e klientëve të saj, ka kompani shtetërore ruse dhe familjarë të zyrtarëve të lartë qeveritarë, ndërsa bashkëshorti i saj më herët ka shërbyer si zëvendësministër i Transportit për rajonin e Moskës. Si avokate, ajo ka bërë fushatë kundër Aktit Magnistky.
Mark Corallo, zëdhënës i ekipit ligjor të presidentit Trump, tha se ky i fundit, atëbotë, “nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e vitit 2016 midis djalit të tij dhe avokates”.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Së paku dy komitete të Kongresit amerikan dhe FBI janë duke i hetuar akuzat, përfshirë raportet për kontakte midis pjesëtarëve të ekipit të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Presidenti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat për bashkëpunim, ndërsa Kremlini ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje.
Sidoqoftë, këshilltari i parë i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, është shkarkuar pasi ai ka keqinformuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë për kontaktet e tij me zyrtarët rusë. Prokurori i përgjithshëm i Trumpit, Jeff Sessions, është po ashtu nën hetime për arsye të ngjashme./REL