Kryesore Djegia e mandateve, PD dhe LSI mbledhin grupet parlamentare

Djegia e mandateve, PD dhe LSI mbledhin grupet parlamentare

Partia Demokratike do të mbledhë në orën 10 grupin parlamentar për të diskutuar mbi propozimin e një dite më parë të kryetarit të kësaj partie Lulzim Basha për dorëzimin e mandateve të deputetëve.

Pas PD, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë mbledhje grupi në orën 13 pikërisht për këtë çështje.

Deri tani nga LSI nuk ka pasur asnjë qëndrim. Në një status në Facebook, Kryemadhi dje shkruante se “beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!”

Por në asnjë moment nuk përmendi mandatet.

Propozimin për dorëzimin e mandateve, Basha e artikuloi në një konferencë të posaçme për mediat, 24 orë pas protestës masive në sheshin para Kryeministrisë.

Basha tha se ka lexuar mesazhin e protestuesve, Partia Demokratike ka ezauruar të gjitha rrugët institucionale dhe nuk mund të jetë më fasadë në parlament.

Basha përsëriti thirrjen për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.