Kryesore Djegia e mandateve, Rama nuk i beson Bashës: Po luan blofin

Djegia e mandateve, Rama nuk i beson Bashës: Po luan blofin

Kryeministri Edi Rama mendon se deklarimet për lënien e mandatit janë një bllof i kryedemokratit Lulzim Basha dhe se opozita nuk do të gjejë dot konsensus mes saj për këtë vendim.

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri duke komentuar protestën e opozitës tha se nuk do jepte dorëheqjen dhe se nuk do të mbaheshin as zgjedhje të parakohshme në Shqipëri.

“Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit ndërsa sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, ka thënë Rama, duke përgëzuar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe policinë e shtetit për menaxhimin e situatës

Sipas TCH, burimet nga mbledhja tregojnë se Rama ka folur edhe në lidhje me propozimin e Lulzim Bashës për djegien e mandateve, duke e cilësuar këtë një gjest të dëshpëruar dhe blof të kryedemokratit.

“Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Basha e di këtë, por luan bllofin”, ka deklaruar Rama.

Para socialistëve, Rama ka shprehur bindjen se Basha do të futet në zgjedhje dhe ka kërkuar nga PS që të vazhdojnë përgatitjet për garën e ardhshme zgjedhore, pavarësisht skenarit të opozitës.

“Unë them se ata do të hyjnë në zgjedhje pasi të kenë bërë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, por hyjnë apo jo ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjeshtë votat e shumicës, por besimin e edhe më shumë qytetarëve se herën e kaluar”, u shpreh kryeministri.

Mësohet gjithashtu se një grup pune i drejtuar kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, do të propozojë këto dite sanksione të forta në rregulloren e Kuvendit për deputetët që përdorin dhunë të çdo forme apo fjalë të rënda në Parlament.