Opozita “Il Mesaggero” interviston Sali Berishën: Shqipëria si Venezuela

“Il Mesaggero” interviston Sali Berishën: Shqipëria si Venezuela

Në një intervistë për italianen “Il Messagero” ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë duke thënë se janë dy kryeqytetet që protestojnë: Karakas kundër Maduros dhe Tirana kundër Edi Ramës.

Më tej, ai shton se opozita ka bërë çdo lëshim që mundej dhe ka pranuar të gjitha marrëveshjet e mundshme të firmosura në Maj të 2017-ës. Por sipas tij, ka qenë Rama ai që i ka shkelur dhe për këtë arsye, ai duhet të japë dorëheqjen dhe t’i lërë vendin një qeverie tranzicioni që i ndalon të menaxhojë dhe të manipulojë procesin e votimit.

Më tej, e përditshmja italiane e përshkruan Berishën si liderin historik të Partisë Demokratike, i cili ka qenë lideri më jetëgjatë në Shqipëri pas Enver Hoxhës.

I pyetur për arsyet e protestës Berisha shprehet se “protesta u bë kundër narkoshtetit që drejton Shqipërinë, por arsyeja më e madhe është ajo e shkeljes së rregullave elektoraleve”.

Berisha shkon dhe më tej duke thënë se “me Ramën në pushtet nuk mund të ketë zgjedhje të lira”. “Beteja është e ashpër, – thekson Berisha, – por protestat janë një mësim, të cilin Rama duhet ta kuptojë, përndryshe do të ketë ditë të vështira dhe fundi i tij do të jetë i tmerrshëm: njerëzit mund ta vrasin, do ta hedhin në lumë.

Dhuna e përdorur në protestën e së shtunës u dënua nga komuniteti ndërkombëtar, por sipas ish-kryeministrit dhuna e vërtetë është shkelja e të drejtës së votës dhe tashmë nuk ka më kthim prapa pasi situata është kritike.

Duke këmbëngulur se dalja e tij nga skena politike është pa kthim, Berisha premton se do të bëjë çdo gjë që shqiptarët të votojnë si qytetarët europianë, pasi “aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në Europë me një gjysmë diktaturë si në Venezuelë“.