Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e ka cilësuar një atentat kundër demokracisë shqiptare djegien e mandateve parlamentare të opozitës.
Ajo tha se krerët e partisë duhej të ishin konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për këtë vendim të rëndë, siç e quajti ajo.
“Në asnjë moment nuk e kam ndjerë veten se kam pasur dyshime për mosdorëzimin e mandatit, sepse akti i dorëzimit kishte disa problematikave, nuk kishte një debat të gjerë, sepse bëhet fjalë për një vendim shumë të rëndësishëm për vendin, për PD, – tha ajo në emisionin “Open”. – Unë nuk isha fare brenda grupit parlamentar kur u mor ky vendim, ndoshta duhej të pritej pak më shumë dhe ndoshta duhej të ishim konsultuar me aleatët tanë të huaj që na kanë ndihmuar në këto procese. Pas vendimit që u mor, partnerët e huaj nuk e mbështetën këtë vendim, më vjen keq, por është një vendim shumë i rëndë, unë do ta cilësoja si një atentat kundër demokracisë shqiptare, – tha ajo. – Duhej të ishte konsultuar i vendim, pastaj njerëzit duhet të jenë të lirë të vendosin në mënyrë individuale”.
Hajdari shtoi se protestat e studentëve ishin një moment kyç për vendin. “Studentët e zgjuan koshiencën e shoqërisë shqiptare për të reaguar, por opozita e shfrytëzoi këtë rast, edhe pse protesta u përdor nga të gjitha palët politike”.