Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca komentoi sot situatën pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e opozitës
Luigi Soreca: “Javën e kaluar thashë që vendimi për të djegur mandatet mund të krijonte një moment paqartësie, dhe do të duhet kohë përpara se të vijë kjo siguri nga KQZ dhe KQZ do t’i duhet kohë më shumë se ç’kemi menduar. Prandaj kemi thënë që djegia e mandateve do të ishte kundër prodhuese për demokracinë.”
Soreca ka dhe një apel për protestën sot: “Ne presim që çdo protestë të jetë e paqtë dhe pa dhunë pasi nuk është e mirë për Shqipërinë dhe reputacionin e saj”
Nesër në Tiranë pritet të vijë një delegacion nga Komisioni Parlamentar Europian për Çështjet e Jashtme. Ata do të kenë takim me qeverinë, udhëheqësit e opozitës por dhe shoqërinë civile.
“Kjo vizitë nuk është koincidencë, por do të theksohet se vendi për diskutimet mes opozitës dhe qeverisë është parlamenti. Të enjten paradite do të kenë një konferencë për shtyp dhe ne shpresojmë që të ketë dhe sinjale pozitive”, u shpreh Soreca.
Por a do të luajnë rolin e arbitrit?
Soreca përgjigjet: “Mendoj se roli i europarlamentarëve është i rëndësishëm. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të shkuarën. Do të dëgjojnë të dyja palët dhe do të bëjnë një vlerësim për vendimin e qershorit”.