Një i ri shqiptar është arrestuar në SHBA, pasi kishte nisur të deklarohej pro ISIS-it dhe kishte shprehur dëshirën për t’iu bashkuar grupit islamik. Ai madje pretendonte hakmarrje për sulmet e muajit të kaluar në xhamitë e Zelandës së Re.
Mësohet se Fabjan Alameti, 21 vjeç, u arrestua në një poligon të shtetit Montana. Ai kishte udhëtuar kohët e fundit në Montana nga Nju Jorku dhe ndaj tij u ngritën akuza për deklarata të rreme dhe armëmbajtje të paligjshme.
Një agjent i FBI-së tha në gjykatë se Alameti ishte intervistuar një herë në vitin 2018 dhe se më vonë kishte bërë komente pro ISIS-it në “Facebook”.
Alameti kishte folur me një informator për t’iu bashkuar ISIS-it në Irak dhe Siri si dhe për të ndërmarrë një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA. Por sipas agjentëve, Alameti tha më vonë se nuk kishte në plan të ndërmerrte një sulm të tillë pasi SHBA i kishin dhënë shtetësinë.
Autoritetet thanë se fjala është thjesht për akuza dhe se shqiptari presupozohet i pafajshëm nëse nuk gjendet fajtor. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 10 vjet burgim dhe me 250 mijë dollarë gjobë.