Vëllai i 17-vjeçares që humbi jetën në ngjarjen e rëndë në Laprakë mbrëmjen e së mërkurës, ka shprehur dhimbjen e tij për humbjen e njeriut më të dashur.
O.Gjikolaj i ka dedikuar një mesazh prekës motrës së tij të ndjerë Griseldës, ku në disa rreshta ai vajton për këtë fatkeqësi.
“Nuk prisja që të kisha një humbje tjetër aq të thellë, mendova që do kalonim një jetë plot gëzime dhe tani më le vetëm disa kujtime që më marrin frymën dalëngadalë. Ishe botë më vete për mua dhe do mbetesh plagë në zemër përjetë. U prehsh në paqe dashuria ime, motra ime. Të dua pafundësisht”, shkruan në rrjetet sociale vëllai i mitur i Griselda Gjikolaj.
17-vjeçarja humbi jetën tragjikisht pasi u qëllua me armë në makinë. Bashkë me të ndodhej edhe Erion Benga 23 vjeç, i cili është i plagosur dhe po merr trajtim në spital.
Dy të rinjtë që ndodheshin brenda makinës u qëlluan me armë nga një person që është identifikuar nga policia dhe është shpallur në kërkim. Autori dyshohet se ka pasur konflikt me 23-vjeçarin Benga.
Nga hetimet e deritanishme, mësohet që i dyshuari kishte ngacmuar shoqen e Bengos dhe ky i fundit ishte konfliktuar me të.
Pasi u largua nga lokali ku ndodheshin në zonën e Laprakës në Tiranë, autori i dyshuar doli jashtë dhe qëlloi me pistoletë drejt makinës së tyre. 17-vjeçarja ndërroi jetë në spital pasi kishte marrë plumb në kokë. Në vendngjarje, grupi hetimor gjeti 4 gëzhoja.