Saimir Tahiri ka folur mbrëmjen e së premtes në emisionin “Java në RTSH” ku ka komentuar edhe një herë përballjen e tij me drejtësinë.
Përmes një lidhje telefonike me panelin e analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ish-ministri tha se do të jetë i qetë kur e gjithë historia do të përfundojë.
Ai u shpreh se do të luftojë me të gjitha mundësitë për të arritur tek e vërteta e tij.
I pyetur nëse nesër pritet të publikojë materiale kompromentuese për ish-kolegët e tij socialistë, ish-ministri i Punëve të Brendshme tha:
“Është fyese të mendohet se unë shantazhoj njerëz me materiale. Sikurse është fyese të mendosh se ish-kolegët e mi paskan diçka për t’i shantazhuar. Drejtësia ime nuk kalon nëpër skuta” – tha Saimir Tahiri në emisionin “Java në RTSH”.
Ai tha se qysh në krye të herës është përballur si qytetar me akuzat dhe se nuk kërkon mbështetjen e askujt nga kampi politik.
“Unë nuk kam asnjë koment për deklaratat e Edi Ramës apo socialistëve të tjerë. Çështjen e kam me drejtësinë” – tha Saimir Tahiri mbrëmjen e së premtes.