Bota “Do të vazhdoj deri sa të boshatiset kasaforta”, MacKenzie Scott dhuron 2.7...

“Do të vazhdoj deri sa të boshatiset kasaforta”, MacKenzie Scott dhuron 2.7 miliardë dollarë

“Do të dhuroj para deri sa të boshatiset kasaforta”. Këto ishin fjalët e MacKenzie Scott në 2019 dhe shumë pak i besuan. Kjo sepse 51-vjeçarja është një nga gratë më të pasura në botë, dhe në kasafortën e saj ndodheshin në atë kohë rreth 68 miliardë dollarë.

Por mesa duket ajo po e mban premtimin e saj. Ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon Jeff Bezos, ka dhuruar rreth 8 miliardë dollarë, 2.7 miliardë vetëm në orët e fundit

Deri më tani, ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon Jeff Bezos, ka dhuruar rreth 8 miliardë dollarë, 2.7 miliardë vetëm në orët e fundit. Sipas burimeve, përfituesit janë 286 organizata që operojnë kryesisht në fushën e barazisë gjinore dhe raciale, por edhe në art dhe universitete.

“Dëshiroja t’u dhuroja atyre që deri më tani kanë patur financime të pakta”, deklaroi ajo.

MacKenzie Scott, e cila që nga ajo kohë është martuar me profesorin e shkencës Dan Jewett, tha se ajo dhe burri i saj ishin “shtyrë nga besimi se do të ishte më mirë nëse pasuria joproporcionale nuk do të ishte në duart e disa njerëzve”.

Miliarderja më parë kishte dhuruar rreth gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar ata që ishin më të prekur ekonomikisht nga epidemia e koronavirusit dhe më pas tha se donte të zvogëlonte shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë.

Pavarësisht dhuratave marramendëse, zonja Scott mbetet sërish personi i 22-të më i pasur në botë, me një pasuri rreth 59.5 miliardë dollarë. Kasaforta e saj kërkon shumë kohë për t’u boshatisur.