Extra Sa kushton një gjest i Ronaldos? Coca-Cola humb miliarda dollarë

Sa kushton një gjest i Ronaldos? Coca-Cola humb miliarda dollarë

Një nga ngjarjet më të komentuara të Kampionatit Europian ishte momenti kur Cristiano Ronaldo gjatë një konference për shtyp zhvendosi nga tavolina dy shishe Coca-Cola. Ai mori një shishe uji, ia drejtoi gazetarëve dhe iu tha: “Uji të bën mirë”, duke nxitur ata që ta konsumonin sa më shumë.

Gjesti që u bë viral i kushtoi jo pak një prej sponsorëve kryesorë të kampionatit pasi çmimi i aksionit të Coca-Cola ra nga 56.10 dollarë në 55.22, një rënie prej 1.6%, sipas Guardian.

Thënë ndryshe vlera e tregut e Coca-Colas shkoi nga 242 miliardë dollarë në 238 miliardë dollarë, një rënie prej 4 miliardë dollarësh.

Coca-Cola, një nga sponsorët zyrtarë të Euro 2020, u përgjigj në një deklaratë duke thënë se “të gjithë kanë të drejtë për preferencat e tyre të pijeve” me “shije dhe nevoja” të ndryshme.

Ndërkaq, një zëdhënës i Euros tha: “Lojtarëve u ofrohet ujë, Coca-Cola dhe Coca-Cola Zero Sugar, pas mbërritjes në konferencat tona për shtyp”.

Të martën, ai shënoi dy herë në fitoren 3-0 të Portugalisë ndaj Hungarisë.

Në fillim, njerëzit në Twitter sugjeruan që Ronaldo mund t’i ketë hequr shishet për shkak të ndonjë marrëveshjeje sponsorizimi me Pepsin, rivalin kryesor të Coca-Cola, por nuk ka gjasa të jetë kështu. Ronaldo është një fanatik i jetës së shëndetshme dhe nuk është hera e parë që deklarohet “armik” i ushqimeve dhe pijeve të përpunuara.

“Herë pas here, djali im pi Coca Cola ose Fanta dhe ha patatina dhe ai e di që nuk më pëlqen”, ka thënë futbollisti në një intervistë për djalin e tij më të madh, Cristiano Junior.

Nuk dihet nëse UEFA do të marrë ndonjë masë kundrejt Ronaldo-s për veprimin ndaj njërit prej sponsorëve kryesorë.