Bullgaria ka përzënë nga vendi 70 diplomatë rusë për shkak të shqetësimeve për përfshirjen e tyre në spiunazh. Gjithashtu, Sofja tha se do të vendosë një kufizim mbi numrin e stafit diplomatik rus në vend.
“Sot kemi përjashtuar 70 diplomatë rusë. Shërbimet tona të sigurisë i kanë identifikuar si njerëz të lidhur me shërbimet sekrete dhe po punonin kundër interesave të atdheut tonë. Dua të përgëzoj shërbimet bullgare dhe Ministrinë e Jashtme për punën e tyre”, tha të martën kryeministri Kiril Petkov. “Dhe dua t’i them çdo shteti të huaj, jo vetëm Rusisë, se kushdo që punon kundër interesave të Bullgarisë, do të dërgohen andej nga kanë ardhur”.
Ky është numri më i lartë i diplomatëve rusë të përzënë nga Bullgaria në vitet e fundit, që përgjysmon praninë e stafit rus në vend.
Ministria e Jashtme bullgare tha se vendimi u mor për shkak të shkeljes nga ana e diplomatëve të konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike, çka është edhe termi zyrtar për spiunazhin në një vend të huaj.
Sipas vendimit të fundit, vetëm 48 rusë mund të qëndrojnë në ambasadën e tyre në Sofje. Pjesa tjetër duhet të largohen nga vendi brenda të dielës.