Deputeti Sam Gyimah ka vendosur të largohet nga partia Tory dhe i është bashkuar partisë proevropiane liberaldemokrate. Kjo dobëson edhe më shumë grupin parlamentar të partisë në pushtet, e cili ka humbur shumicën.
43-vjeçari llogaritet ndër 21 politikanët konservatorë të cilët kryeministri Boris Johnson i ka përjashtuar nga fraksioni Tory, për shkak të kundërshtimit të kursit të tij të Brexitit. Sam Gyimah ka marrë tani një vendim të qartë ndaj këtij kursi dhe ka lëshuar partinë e tij të deritanishme konservatore.
“Largimi im nga Tory nuk është vetëm pasojë e kursit të Brexit-it nga kryeministri Johnson”, shkruan Gyimah. Bëhet fjalë edhe për qëndrimet ndaj populizmit dhe nacionalizmit në këtë parti. Me kalimin e tij tek partia liberaldemokrate, ajo numëron tani 18 deputetë nga 650 sa ka dhoma e ultë. Tories e kanë humbur ndërkohë shumicën parlamentare, pas largimit në fillim të muajit të deputetit Phillip Lee nga Tories. Edhe ai ka kaluar në radhët e partisë liberaldemokrate.
Giymah ka qenë edhe më parë në shënjestër të kritikave dhe ka dhënë dorëheqje edhe më parë për shkak të politikës ndaj Brexit-it. Në fund të vitit 2018 ai e ka dorëzuar postin e sekretarit të shtetit për hulumtime dhe universitete. Këtë hap e ka shpjeguar me qëndrimin se marrëveshja e kryeministres së atëhershme Theresa May për Brexitin, nuk i ruan mjaftueshëm interesat nacionale të britanikëve. Por ai kishte mbetur deputet i Tories.
Sam Giymah është konsideruar më parë si “ylli në ngritje” i partisë konservatore. Pas dorëheqjes së Theresa May në qershor, ai kishte shpallur për një kohë të shkurtër edhe kandidaturën për kreun e partisë. Por e tërhoqi kandidaturën para skadimit të afatit dhe ka mundësuar zgjedhjen në këtë posti të Boris Johnsonit. Tani ka vendosur të largohet nga kjo parti.