Nëse keni planifikuar që ditën e enjte të udhëtoni drejt Greqisë, është mirë ta anuloni.
Dogana Greke ka planifikuar një grevë 24 orëshe, e cila do të nis nga ora 7 e mëngjesit të së enjtes, deri në orën 7 të mëngjesit të së premtes.
Policia e Shtetit njofton se në kufi nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve drejt shtetit të Greqisë dhe anasjelltas.
“Nga kontaktet e vazhdueshme të mbajtura me palën greke, jemi informuar se për shkak të një greve të përgjithshme që do të zhvillohet nga Dogana Greke, duke filluar nga ora 07:00 e datës 09.11.2017 deri në orën 07:00 të datës 10.11.2017, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në të gjitha pikat e kalimit kufitar që lidhen me shtetin grek dhe anasjelltas.
Do të lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të qarkullojnë me automjetet e tyre në drejtim të Greqisë, të anulojnë lëvizjet dhe të mos grumbullohen nëpër Pikat e Kalimit Kufitar duke sjellë konfuzion”, thuhet në njoftim.