Aktualitet Dosja “CEZ”, Balla flet me emra: Kush janë prokurorët që falën këta...

Dosja “CEZ”, Balla flet me emra: Kush janë prokurorët që falën këta zyrtarë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se për çështjen “CEZ” prokuroria “duhet të kishte marrë deklarimet e personave”, siç ishte vendimi i Kuvendit me 74 vota pro.

“Si ka mundësi që ka prokurorë që mendojnë se në vitin 2017 mund të mbyllet afera korruptive pa bërë asnjë hetim. Kush ua ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin që të sillen me drejtësinë si në pazar”, tha Balla.

“Kush janë këta prokurorë që kanë tagrin të falin pa hetuar veprën penale të Ndue NikKalajt. Si u mbyllka dosja pa u hetuar Sali Berisha, Ridvan Bode, Genc Ruli, Florian Mima, Eno Bozdo, Ledina Mandija ish-avokate e shtetit, Shkëlzen Berisha, Bujar Nepravishta”, tha ai.

“Do vazhdojmë të kërkojmë pse skandali CEZ nuk mund të mbyllet. Pse prokuroria duhet te kishte marrë deklarimet e personave për të cilët komisioni i kuvendit, në raportin përfundimtar, të miratuar nga shumica e anëtarëve, ka kërkuar dërgimin e raportit në prokurori me qëllim fillimin e çështjes penale. Është miratim i Kuvendit me 74 vota pro. Ky është një akt tepër i rëndë. Nuk merren fare në konsideratë provat”, tha Balla.