Leroy Sane, sulmuesi i Manchester City, i cili pati një paraqitje të mahnitshme kundër Monakos, ishte atë natë protagonist i pavullnetshëm i një historie të pabesueshme, që është bërë tashmë “virale” në rrjetet sociale.
Goli që realizoi në minutën e 81-të ndaj Monakos, duke vulosur fitoren 5-3 të skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola, ka shokuar dhe “falimentuar” një bastvënës gjerman.
Ky person kishte luajtur 2 euro në skedinë, duke parashikuar rezultate në kokë: ndeshja mes Leverkusen dhe Atletico Madrid do të përfundonte 2-4, ndërsa Manchester City-Monaco 4-3.
Nëse do të rezultonte kështu, atëherë bastvënësi gjerman do të kishte fituar asgjë më shumë dhe asgjë më pak se 34.200 euro. Në fakt, ishte goli i Sane që ia “hodhi në erë” shpresat për një fitim të majmë e të papritur.
I vetëdijshëm për fatkeqësinë që i solli bastvënësit gjerman, Sane zgjodhi për të kërkuar falje publikisht nëpërmjet Twitter. “Kam lexuar në gazeta. Më vjen keq për këtë njeri,” – shkroi futbollisti i Manchester City në mesazhin e tij.
Deri në këtë moment, ai që vuri bastin nuk është përgjigjur dhe është e paqartë nëse fjalët e patriotit të tij e kanë ngushëlluar…