Politika “Dokumenti nuk është realist”, zbardhen debatet brenda PD për analizën e zgjedhjeve

“Dokumenti nuk është realist”, zbardhen debatet brenda PD për analizën e zgjedhjeve

Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar raportin e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit, pavarësisht debateve mes dy nënkryetarëve Edi Paloka dhe Edmond Spaho dhe sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Sipas Bardhit metodologjia e analizës nuk është bërë nga ai. “Është bërë sipas një plani të bërë nga konsulentët. Mbi bazën e asaj metodologjie është bërë analiza“, mësohet të ketë thënë numri 2 i PD.

Ndërkohë Edi Paloka, që ishte drejtuesi i qarkut Durrës në 25 Prill ka deklaruar se dokumenti i analizës së zgjedhjeve nuk është realist

“Nuk pasqyron atë që drejtuesit politik kanë shkruar në raportet e tyre. Duhet ndryshuar dokumenti, nuk mund ta miratojmë në këtë mënyrë si është hartuar“, mësohet të ketë thënë ai.

Analiza është kundërshtuar dhe nga Edmond Spaho, që drejtoi Korçën në zgjedhje.

“Aty në raport zoti Bardhi thua që Korça nuk ka dalë brenda pritshmërive? Si e shpjegon? Unë kam bërë tjetër analizë. Kam marrë rezultatin më të mirë. Kam pasur objektiv 5 mandate kam fituar 5 mandate“, ka thënë Spaho.

Në kryesinë e PD-së janë pranuar edhe propozimet për ndryshimet statutore të kryetarit Lulzim Basha.

Kreu demokrat ka dorëzuar në kryesi edhe listën me emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilat do të miratohen të shtunën në Kuvendin Kombëtar.