Pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm Tiranën por të gjithë Shqipërinë, ku u vra në një atentat në Laprakë, 17-vjeçarja Briselda Gjikolaj dhe u plagos me dy plumba Erion Bengo, ka reaguar edhe kleriku Dom Gjergji.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, nga faqja zyrtare e “Dioqezës së Rrëshenit”, Dom Gjergji mallëngjen me fjalët për 17-vjeçaren dhe familjen e saj, në dhimbjen e madhe, ndërsa përshkruan ndjenjat e tij gjatë shërbesës.
Shkrimi i Dom Gjergjit:
E bukura Griseldë, e veshur si nuse
Në Kurbnesh, te shtëpia e Griseldës së vrarë në Laprakë, ishte krijuar qysh në mëngjes herët rreshti i burrave e i grave që i shkonin Ilirit, të atit të saj, për ngushëllim. Po. po, atij Ilirit që fantazia e babëzitur e mediave online apo e policëve informatorë, e kishte bërë një baba që kishte braktisur fëmijët. Vihem në rresht edhe unë me burrat e tjerë. Na presin kushërinjtë e Ilirit të rreshtuar, sikur është zakon ndër këto anë tonat, e më pas takojmë edhe Ilirin. Dialogu është shumë i shkurtër: “A u mërzite?” “Po shumë” “Zoti të dhashtë forcë” “Zoti të rujt!” Vishem me rrobat liturgjike dhe drejtohem në heshtje kah arkivoli.
Te kryet e Griseldës është Drita, nana, që po të njëjtat media apo policë informatorë e kanë bërë të vdekur. Dritës po, i ka vdekur drita e syve, është fishkur ajo dritë. Asaj po, i ka vdekur bami i kraharorit të saj. Kjo po është vdekja e saj e jo ajo e portaleve.
Griselda! Ah Griseldë! E bukura Griseldë! E veshur si nuse me një fustan të bardhë. Hyjnisht e bukur. Pak më shumë se një fëmijë, pak më pak se një e rritur. Duket sikur asaj bukurie i bëjnë kurorê malet pêrreth që e kanë parë të lindë, të hedhë hapat e parë e të shqiptojë fjalët e para. Kushedi sa herë malet përreth kanë lozur me të qarën apo të bërtiturat e saj duke e hedhur sa nga një shpat në tjetrin e duke ia kthyer sërisht asaj në jehonë. Sot ato male duken sikur janë përthyer nga dhimbja, sepse e dinë se nuk do të mund të jehojnë më kurrë zërin e Griseldës.
Sapo nisi lutja u bënë bashkë Iliri, Drita dhe dy fëmijët e tjerë, djali 15 vjeç dhe vajza tjetër 10 vjeçe. Shikonin me sy të përlotur, herë mua e herë Griseldën. Luteshim të gjithë sa ishim, në heshtjen e atyre maleve ku rripave të bardha të dëborës iu shtohej edhe e bardha e fustanit nusëror të Griseldës. Edhe burrave iu skuqën sytë ndërsa thonim de profundis, nga humnera klitha drejt teje o Zot. Në një çast m’u duk se edhe ajo po lëvizte buzët duke u lutur me ne: Nga humnera klitha drejt teje, o Zot dëgjoje lutjen time … Nuk gjeja fjalë. Vetëm pak fjalë e shumë heshtje. Cila fjalë mund të ngushëllojë zemrën e një nane? Cila fjalë mund të rikrijojë në kraharorin e saj një Griseldë tjetër? Në këto raste ia kam frikën fjalës time dhe e lë të heshtë. Nuk e nxjerr nga goja, se kam frikë mos kthehet në plumb apo ndoshta bëhet thjeshtë e kotë. E atëherë lexoj Fjalën, atë të Zotit, me F të madhe. Vetëm ajo ngushëllon si duhet dhe kur duhet. Vetëm ajo Fjalë gjen ato shtigje të papërshkuara e të panjohura të shpirtit, ashtu sikurse vetëm Griselda din shtigjet ku ka luajtur në fëmijërinë e saj. Ajo Fjalë depërton thellë dhe vetëm ajo jep shpresë. Lutja mbaroi e Iliri më kërkon t’i bekoj kullën e tij të varfër ku jeton. E bekoj edhe kullën e ngjitem aty ku rrinë burrat që vijnë me pi kafen e mortes.
Pak fjalë e shumë heshtje. Heshtje! Nuk ka fjalë. E vetmja që flet është dhimbja. Dhimbja flet në heshtje. Nga jashtë dëgjohen britmat e grave që vajtojnë me fjalë e herë pas here dëgjohet zëri i Dritës: “Ah e mjera unë për ty oj Griselda ime”. Pijmë kafen e themi ato fjalë që kanë mbet të pandryshume për shekuj e shekuj: “Zoti ju forcoftë! Mos pafshi ma keq! Ju ardhshim për t’mira mas sodit!”.
Çohem e dal jashtë. Bora e parë tashmë ka rënë. Dielli ndrit fort e xen pak n’at shpat mali të Selitës. Bryma që ka rënë gjithë natën ka shtruar tokën. Largohem, e duke ecur shoh rreshta të tjerë burrash e nga pas gratë, që ruajnë kodet e të ecurit, duke shkuar drejt shtëpisë së Ilirit e Dritës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Giseldës. Do doja të thoja shumë gjëra. Do flisja pa fund për shpresën e këputur të së bukurës Griseldë, të shumë Griseldave, familjeve që për të shpëtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre po provojnë të pamundurën. Por është e kotë. Është kohë e humbur, sikurse qe lufta e mjekëve kundër kohës për t’i shpëtuar jetën të bukurës Griseldë.
Është kohë e humbur si leximi i portaleve apo informatat e policëve që kanë humbur etikën në të gjitha përmasat e saj e asnjë prej tyre nuk ishte sot aty. Pusho në paqe Griseldë nëse do të mundesh. Pusho n’ato varre të Kurbneshit, nën hijen pishave të larta, pranë të parve tu, aty diku përbi Kishëzës së shna Ndout. Pusho e qetë e bukura Griseldë, nëse ne do të lëmë të qetë.”