Kuriozitete Doni më shumë lumturi dhe dashuri në 2019-ën? Këto janë 7 ushqimet...

Doni më shumë lumturi dhe dashuri në 2019-ën? Këto janë 7 ushqimet që duhet të hani në darkën e Vitit të Ri

Pas tryezës së Krishtlindjes, një ndër shqetësimet kryesore të shumë zonjave në këtë periudhë është menuja e fundvitit, e cila është gjithmonë në përpunim e sipër.

Mënyra më e mirë për të mirëpritur vitin që vjen është pranë familjes dhe njerëzve të dashur e sigurisht që ushqimi është një nga ata “çelësa magjikë” që mund të “hapë” jo vetëm stomakun, por edhe zemrën e gjithkujt. Por, krahas gjelit të detit dhe bakllavasë klasike ekziston edhe një armatë e tërë ushqimet fatsjellëse që nuk duhet të mungojnë në tryezën e askujt.

Ja cilat janë ato, si dhe mesazhet dhe simbolet që fshehin:

Mishi i derrit

Nuk dihet nëse mishi i derrit është produkti më i konsumuar në Austri, Hungari,Portugali dhe Kubë, por ajo që është e sigurtë është se nuk mungon kurrë në tryezën e Vitit të Ri, të cilin mund ta konsumoni në të gjitha format e tij si proshutë, pancetë, rosto etj. Shumë njerëz mendojnë se mishi i derrit është ushqimi që sjell më shumë fat në krahasim me ushqimet e tjera, veçanërisht nëse konsumohet në natën e ndërrimit të viteve. Kjo për arsye se derrat janë të shëndoshë, gjë që simbolizon shëndet dhe begati. Ata gjithashtu kërkojnë ushqim me hundë duke ecur gjithmonë përpara, që përkthehet si progres.

Thjerrëzat

Për fqinjët tanë italianë, të njohur ndërkombëtarisht jo vetëm për makaronat dhe picat, por edhe për një prej kuzhinave më të mira në botë, thjerrëzat janë pjata që nuk duhet të mungojë kurrsesi në darkën e fundvitit. Kjo traditë e lashtë romake simbolizon para dhe prosperitet.

Shega

Nga fqinjët italianë do të kalojmë tek ata grekë, të cilët nuk harrojnë kurrë që në mes të tryezës të vendosin sa më shumë shegë. Ky frut, aq shumë i njohur për vlerat e tyre ushqyese, është simboli i pjellorisë dhe pasurisë. Në Greqi, në natën e vitit të ri vendasit plasin një shegë në derën kryesore të shtëpisë, kjo bëhet me qëllim që nga shega të dalin sa më shumë kokrra që të jetë e mundur, sepse kokrrat e saj simbolizojnë begatinë dhe mirëqenien.

Rrushi

Për spanjollët dhe meksikanët, rrushi është simboli i bollëkut dhe mbarësisë, madje një shprehje e vjetër thotë që “kushdo që ha rrush për Vit të ri, nuk do ta ketë kurrë xhepin bosh gjatë vitit pasues”. Tradita thotë që duhen ngrënë 12 kokrra rrush para trokitjes së akrepave gjatë mesnatës.

Tava me peshk

Tava me peshk nuk duhet t’i mungojë kurrsesi tavolinës suaj së Vitit të Ri. Sipas traditave të ndryshme sasia e luspave simbolizon sasinë e parave. Sa më shumë luspa aq më shumë para do të ketë në shtëpitë tuaja.

Frutat e thata

Kjo traditë e vjetës galeze është e përhapur kryesisht në Francë. Në natën e ndërrimit të viteve francezët hanë 13 lloje të ndryshme frutash të thata që simbolizojnë shëndetin e mirë dhe jetëgjatësinë.

Mandarina

Për kinezët është mandarina fatsjellësi më i mirë, sepse forma e saj sferike i ngjan pafundësisë. Për festa, kinezët i dhurojnë njëri-tjetrit mandarina.