Mediat italiane konfirmojnë sot se portieri Gianluigi Donnarumma ka pranuar ofertën që i kanë bërë drejtuesit e Milanit dhe do të qëndrojë kuqezi edhe sezonin tjetër.
“Corriere Dello Sport” shkruan se portieri 18-vjeçar do të qëndrojë me skuadrën e zemrës edhe pse menaxheri i tij Mino Raiola synonte një transferim të tij larg Serisë A.
Donnarumma kërkohej nga skuadrat më të mëdha të Europës, por në fund ka vendosur të qëndrojë në Milano.
Ai do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, plus bonuse të ndryshëm, me shpresën që të fitojë trofe me skuadrën e zemrës.
Konfirmimi i marrëveshjes mes portierit Donnarumma dhe drejtuesve kuqezinj pritet të vijë sot në mbrëmje, pas ndeshjes së kombëtares italiane ndaj Lihtenshtejnit (ose në fillimin e javës tjetër).
Duket se portieri ka dalë kundër menaxherit të tij, që tashmë do të ulet në një tavolinë me drejtuesit e Milanit për të diskutuar për detajet e fundit dhe hedhur firmat në kontratën e re.
Konfirmimi i marrëveshjes do të vijë para grumbullimit të portierit me kombëtaren U-21.
Një lajm që ka gëzuar tifozët kuqezi, që do të kenë në portë idhullin e tyre.