Angel Correa është në majën e listës së dëshirave të Milanit që në ditën e parë të merkatos, mungon vetëm një element për ta afruar në Milano, paratë e nevojshme që do ta finalizonin operacionin e transferimit të argjentinasit nga Atletico i Madridit te klubi 7 herë kampion i Europës. 24-vjeçari e ka dhënë prej kohësh “ok” e tij për t’iu bashkuar kuqezinjve dhe drejtuesit e klubit italian po kërkojnë të ardhurat e duhura për të plotësuar pretendimet e “Los Colchoneros”, që nuk e dorëzojnë kartonin e sulmuesit pa parë në llogari 55 milionë euro.
Në këtë mënyrë, drejtuesit e Milanit kanë menduar rrugën që duhet ndjekur. Fillimisht duhet që të përfitohen të ardhura dhe për këtë i vetmi lojtar i cili do të arkëtonte shifra të rëndësishme është Gianluigi Donnarumma. Interesi i PSG për portierin ekziston prej kohësh dhe me largimin e Kevin Trapp nevoja për një “guardian” është kthyer në prioritet te kampionët e Francës.
Klubi kryeqytetas është gati të shpenzojë 60 milionë euro për të drejtat e “gardianit” 20-vjeçar. Nëse kalimi i Donnarumas në Paris finalizohet, atëherë drejtuesit e kuqezinjve, Boban e Maldini, do të kishin mundësinë që të rritnin ofertën për Correan nga 40 milionë në 55 milionë euro, që është edhe shifra për të cilën klubi madrilen është gati të dorëzojë kartonin e sulmuesit argjentinas.