Aktualitet Doracak rregullash bashkëjetese publike

Doracak rregullash bashkëjetese publike

1- Karriget e klubit nuk shtyhen e as tërhiqen zvarrë për (si fillim) më shumë se gjysëm metri

2- Mqs nuk ia ulni dot piskamën të qeshurës në grup, provoni së paku ta bëni në arpezh e jo në akord, se na hyn në rezonancë me kapakun e kresë.

3- Kur qeshni, provoni të përplasni njehere duart e pastaj kembët, jo njëkohësisht të dyja.

4- Gromësimat (e të tjera veprime të gazta), njelloj si duhani, lejohen vetëm në mjedis të hapur.

5- Prodhimi i saçmeve për gjueti derrash është e mira të kryhet në mjediset tuaja private, jo në hapësirat dëfryese publike.

6- Prindërit janë të lutur që, në hapësirat publike, të mjaftohen (të paktën!) me një shkulje të lehtë veshi a floku si prelud, dhe pjesën tjetër të dramës me zeka dhe dacka mbi kalamajtë ta ushtrojë sekushi në kasollen e vet.

7- Bisedat në celularë nuk janë kolektive, apo ndryshe: mua nuk më rref fare a ju gadit makina Visit apo ku ja la dikush çelsin Marvit.

8- Shijet muzikore të kamarierit nuk janë në përpjestim të drejtë me volumin e muzikës së barit. Kamarieri është i lutur të mos jetë edhe DeeJay.

Kaq si fillim, sa për t’u larguar pak nga Zoo-kopshti.