Kryesore Dosja e Sigurimit, Meta: Autoriteti ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime...

Dosja e Sigurimit, Meta: Autoriteti ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për mediat tha se i ka kërkuar organeve të drejtësisë një hetim të plotë lidhur me agjentin sekret të publikuar nga Autoriteti i Dosjeve I.M.

“Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i PAVARUR, dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, u shpreh Meta në një konferencë për mediat.

Meta renditi 6 vepra penale, që sipas tij ka kryer Autoriteti i Dosjeve.

1) Shpërdorim detyre

2) Falsifikim i dokumenteve shtetërorë

3) Falsifikim kompjuterik

4) Falsifikim vulave, stampave ose formularëve

5) Përhapja e informatave të rreme që përhapin panik

6) Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete

Sipas Metës, të gjitha veprat penale të listuara më sipër janë kryer në bashkëpunim.

Kreu i Partisë së Lirisë, publikoi sot pjesë nga dosja e Sigurimit të Shtetit, ku sipas tij shtetasi F.T, nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e tij.

Ai hodhi akuza ndaj autoritetit të dosjeve, ku tha se ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike.

“Në asnjë dokument, edhe ato të falsifikuara, nuk rezultojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj. Autoriteti bën çuditërisht edhe propozime për Kodin Zgjedhor. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur ligj se gjoja personi me inicialet I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës. Autoriteti nuk pati asnjë dokument që mund të lidhte figurën e Ilir Rexhep Metajt si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Meta.