Për dy javë bota ka mbajtur sytë tek ai pus. Bota shpresoi në një mrekulli, që nuk ndodhi. Julen nuk mundi të mbijetojë, në fund të atij tuneli, të errët vetëm 25 cm të gjerë dhe të thellë më shumë se 100 metra që e mbante nën tokë. “Është vëllai i tij aty, me të”, kishte pëshpëritur i ati, i cili qëndroi deri në ditën e fundit me shpresë.
Vdekja e Oliverit
Sepse për të dhe gruan e tij, Victoria, vdekja e Julenit i shtohet dhimbjes së madhe që i kishte shkatërruar dy vjet më parë, në 2017-ën. Atëherë Julen ishte pak muajsh dhe djali i tyre i madh, Oliveri, 3 vjeç. Jetonin si tani në lagjen “El Palo”, në Malaga dhe pikërisht aty djali ndihet keq, në mënyrë të papritur. E dërgojnë në spital, por për mjekët nuk ka asgjë anormale. Oliveri kthehet në shtëpi me nënën dhe babanë. Njëzetenjë ditë më pas, 14 maj 2017, nëna Victoria po shëtiste me dy fëmijët dhe motrën e saj Annabel, edhe ajo nënë e një fëmije, në shëtitoren e plazhit të Pedregalejos. Në një farë pike, Oliveri nuk merr frymë, shembet në tokë. Ishin të kota përpjekjet e dëshpëruara për ta rikthyer në jetë, fëmija vdes për një sulm në zemër. Bashkëshorti i saj është larg me punë, në Sevilje, kur ndodhi tragjedia.
Tragjedia e dyfishtë
Victoria është e shkatërruar, tregojnë ata që e njohin, aq sa nuk donte të shkëputej nga trupi pajetë i fëmijës së saj. Ruan të gjithë lodrat e tij, shkon në varreza dhe flet me të. Pastaj është Julen, i cili kur vdiq i vëllai, ishte pak muajsh. Për të, Victoria dhe Jose, provojnë të gjejnë forcë për të ecur përpara. Kërkojnë të kenë një fëmijë tjetër, por nuk ia dalin. Juleni është arsyeja e vërtetë e jetës së tyre. Dhe tani për dy prindërit, mbetet vetëm një dhimbje e pambarimtë, e mbyllur në ato fjalë, të thëna përmes ulërimave para pusit të ngushtë: “Një tjetër herë jo! Një tjetër herë jo!”.
Ndërkohë, pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se i mituri kishte humbur jetën që në ditën e parë që kishte rënë në atë pus të mallkuar, para 13 ditësh. Përveç kësaj, mbi të kishin rënë gurë dhe mbetje që e kishin goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.