Bota Gjermania nxit punësimin e migrantëve

Gjermania nxit punësimin e migrantëve

Integrim përmes punës. Qeveria gjermane kërkon të çojë përpara punësimin e migrantëve në Gjermani.

Të hënën (28.01) e ngarkuara e qeverisë gjermane për Integrimin, Annete Widmann-Mauz (CDU) nënshkroi bashkë me Agjencinë Federale të Punës një marrëveshje bashkëpunimi në Berlin. Me këtë marrëveshje synojmë të “çojmë përpara me intensitet e të bashkuar integrimin në e përmes punës“, tha politikanja gjermane. Sipas saj një bashkëpunim që synohet të jetë i vazhdueshëm do të synojë të përmirësojë shanset e migrantëve në tregun e punës dhe të reduktojë rreziqet e diskriminimit. Mbështetje do të ofrohet sidomos në momentin e kalimit nga shkolla në jetën e punës.

“Puna është çelës i integrimit dhe ndihmon që të zësh vend në shoqëri”, tha Widmann-Mauz. Ndërsa kreu i Agjencisë Federale të Punës, Scheele theksoi, se suksesi ekonomik i Gjermanisë varet edhe nëse “ia dalim të përdorim si duhet të gjithë potencialin e fuqisë punëtore në vend”. Migrantët e rinj dhe prindërit e tyre duhet të informohen sa më mirë e të konsultohen në rrugën nga shkolla drejt profesionit.