Bota Drama italiane: 756 të vdekur në 24 orë, 133 viktima më pak...

Drama italiane: 756 të vdekur në 24 orë, 133 viktima më pak se të shtunën

Italia vijon të shënojë shifra rekord për të vdekurit brenda 24 orësh. Kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borreli përditësoi shifrat dhe bëri me dije se vetëm të dielën kanë humbur jetën 756 pacientë.

Krahasuar me të shtunën, ka një rënie të të vdekurve. Të shtunën numri ishte 889, çka do të thotë se këtë të diel janë 133 viktima më pak.

Në total, numri i viktimave në Itali ka shkuar në 10.779, ndërsa të shëruarit janë 13.030.

Por teksa numri i vdekjeve ka pësuar rënie, është rritur numri i të infektuarve. Nga 3.651 që ishte të shtunën, ka shkuar në 3.815 të dielën.

Gjatë fjalës së tij të përditshme për mediat, Angelo Borrelli falënderoi gjithashtu Gjermaninë, që ka marrë një numër të prekurish për t’u kuruar në spitalet e veta, por edhe Shqipërinë, për dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar në zonat që kanë më shumë nevojë.