Është zhvilluar sot në Tiranë një tryezë diskutimi mbi votimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj parashtroi çështjet kryesore që kërkojnë adresim për realizimin e këtij projekti.
“Aspekti parësor i sistemit të votimit të emigrantëve është identifikimi i vendndodhjes së tyre”. Kjo tha Xhafaj vlen si për votim me postë, ashtu edhe nëse zgjidhet votimi elektronik.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se është jetike që procesi të përmbajë tre elementë bazikë.
“Është shumë e rëndësishme, është themelore, që sistemi i votimit duhet të sigurojë për ta tre elementë bazikë: fshehtësinë e votës, transparencë të procesit të numërimit dhe padyshim, integritet të procesit të votimit.”
Xhafaj tha se në varësi të modelit që duam të zgjedhim, duhet të vendoset nëse do tu kërkojmë atyre që paraprakisht të regjistrohen si votues që të përfshihen në listën e zgjedhësve apo do të jenë automatikisht pjesë e listës së zgjedhësve. “Këto dhe shumë çështje të tjera kërkojnë adresim të shpejtë dhe të përshtatshëm.”
Ministri i brendshëm tha se një ndër prioritetet kryesore të qeverisë për këtë mandat është edhe saktësimi i adresave, ku banon kush, pjesë e së cilës është edhe identifikimi dhe regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Diasporës, Pandeli Majko si edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Shqipëri