Arben Kraja, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra do të jenë prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme, e projektuar për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri, që pas rënies së sistemit komunist dhe në vijim.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, disa ditë më parë, shpalli 15 kandidatë, të listuar sipas aftësive profesionale, karakterit të fortë, vendosmërisë dhe dosjeve që kanë pasur në duar, për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. 28 prokurorë, kryesisht të Krimeve të Rënda, aplikuan për 15 vende vakante në SPAK. Ndërkaq, që 15 pretendentët të emërohen përfundimisht në Prokurorinë e Posaçme ata duhet të kalojnë me sukses procesin e Vetingut, duke u konfirmuar në detyrë me vendime të formës së prerë. Në listën me 15 kandidatë të shpallur nga KLP, 7 kandidatë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut.
Ata kanë kaluar me sukses të tre testet: Ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Nga ana tjetër, Komisioneri Publik nuk ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet e KPK për konfirmimin e tyre në detyrë, duke u dhënë vendimeve formën e prerë. Në këto kushte, 7 pretendentët e lartpërmendur do të jenë prokurorët e parë të SPAK-ut.
Emërimi i tyre nga KLP si prokurorë të Prokurorisë së Posaçme tashmë është vetëm çështje kohe. Mbi ta ‘rëndojnë’ shpresa e madhe e shqiptarëve, investimi historik i SHBA-BE, besimi dhe të gjitha pritshmëritë për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, një ndër kushtet kryesore për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Ndërkaq, për 15 vendet vakante në SPAK, KLP ka renditur si pretendent edhe prokurorin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, Besnik Muçi, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij nga detyra, me pretendimin se nuk justifikon pasurinë. Kolegji i Posaçëm nuk është shprehur ende me vendim për fatin e Muçit.
Shtatë precedentët e tjerë për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Ndini Tavani dhe Anita Jella janë në proces rivlerësimi i nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të presë që edhe pretendentët e tjerë të kalojnë procesin e Vetingut, për t’i emëruar në Prokurorinë e Posaçme. Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sipas një tjetër procedure, me shumicë votash drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
Kompetencat
Kompetencat e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale ndahen në dy degë. Gega e parë përfshin hetimin dhe gjykimin e çdo vepre të mundshme penale të kryer nga Presidenti i Republikës dhe ish-presidentët, nga kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetarët e Kuvendit, nga kryeministri dhe ish-kryeministrat, nga ministrat dhe ish-ministrat, nga gjyqtarët dhe ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nga kryeprokurori dhe ish-kryeprokurorët, nga deputetët dhe ish-deputetët, nga kryebashkiakët dhe ish-kryebashkiakët, nga zëvendësministrat dhe zëvendësministrat, nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga drejtuesit e institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
Pushtetarët dhe ish-pushtetarët e sipërpërmendur mund të merren nën hetim për të çdo vepër të dyshuar penale, e kryer në çdo kohë. Dega e dytë e kompetencave të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale përfshin 18 vepra penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Kushdo që dyshohet se ka kryer një nga këto 18 vepra penale do të jetë objekt i SPAK-u. Fillimisht, Kushtetuta e ndryshuar, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut.
Por, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në janar të 2017, 33 vepra penale i janë hequr si objekt i veprimtarisë së SPAK-ut, ndërsa u shtuan 11 të tjera. Përfundimisht, në kompetencë të SPAK-ut është çdo vepër penale e kryer nga grupi i funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe 18 vepra penale të kryer nga çdo shtetas.
Konfirmimi
Në listën me 15 kandidatë të shpallur nga KLP, 7 kandidatë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut. Ata kanë kaluar me sukses të tre testet: Ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Besnik Muçi
Për 15 vendet vakante në SPAK, KLP ka renditur si pretendent edhe prokurorin Besnik Muçi, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij nga detyra, me pretendimin se nuk justifikon pasurinë.
7 prokurorët e parë të SPAK-ut
Arben Kraja, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi ka marrë formë të prerë pasi Komisioneri Publik ka vendosur të mos e ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Enkeleda Millonaj, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi ka marrë formë të prerë pasi Komisioneri Publik ka vendosur të mos e ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Manjola Kajana, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi nuk është ankimuar në Kolegjin e Apelimit
Edvin Kondili, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi nuk është ankimuar në Kolegjin e Apelimit
Ened Nakuçi, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi nuk është ankimuar në Kolegjin e Apelimit
Elida Kaçkini, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi nuk është ankimuar në Kolegjin e Apelimit
Behar Dibra, konfirmuar në detyrë nga KPK, vendimi nuk është ankimuar në Kolegjin e Apelimit
Pretendentët e tjerë
Altin Dumani, në proces Vettingu
Anton Martini, në proces Vettingu
Elisabeta Imeraj, në proces Vettingu
Doloreza Musabelliu, në proces Vetingu
Klodian Braho, në proces Vetingu
Ndini Tavani, në proces Vetingu
Anita Jella, në proces Vetingu
Besnik Muçi, konfirmuar në detyrë nga KPK, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij nga detyra.