Dy ministra të qeverisë, përfaqësues të partisë Lëvizja socialiste për integrim kanë shprehur shqetësim për rolin e Bordit të Menaxhimit të Monitorimit Ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësues të Komisionit europian dhe të Qeverisë amerikane, në kuadër të mbikëqyrjes së procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.
Fillimisht ishte ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, i cili ngriti zyrtarisht këtë çështje përmes një letre dërguar autoriteteve më të lartë të shtetit. Vasili i referohet një shkrese që drejtuesja e Bordit të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave ku e njofton për nisjen e misionit të vëzhgimit.
Ministri i Drejtësisë shpjegon se ai nuk është vënë në dijeni të këtij komunikimi nga i cili “lindin shqetësime të rëndësishme lidhur me komunikimet zyrtare të mbajtura, dhe ligjshmërinë e procesit të ndërtimit të asaj pjese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të quajtur Bord i Menaxhimit të Monitorimit Ndërkombëtar”, duke shtuar më tej se “në të gjitha dispozitat kushtetuese apo ligjore, nuk ka asnjë përcaktim për ngritjen e Bordit të Menaxhimit të OMN-së”.
Ndërsa saktëson se kushtetuta parashikon ardhjen dhe rolin e ekspertëve, “sa i takon Bordit të Menaxhimit të OMN-së, përbërjes, rolit të tij të paqartë në këtë proces, anëtarësisë së tij me pjesëmarrës të përhershëm dhe të përkohshëm, si dhe përfshirja brenda tij të përfaqësuesve të ambasadave respektive, nuk gjejnë mbështetje as në Kushtetutë dhe as në ligj”.
Vasili propozonte në letrën e tij “kthimin në rrugën e kushtetutshmërisë dhe të ligjit të kësaj çështjeje me qëllim diskutimin e problematikës së lindur me krijimin e këtij Bordi. Ky diskutim duhet të jetë pjesë e tryezave të nivelit të lartë politik dhe parlamentar. Vetëm pas këtij diskutimi dhe vendimmarrjes pasuese, do të mund të vijohej më pas, me procesin e nisur”.
Pas ministrit të Drejtësisë është kolegia e tij e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila i është drejtuar sot për këtë çështje Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn. Duke nënvizuar shqetësimet e ngritura nga Vasili dhe propozimin e tij për të diskutuar zgjidhjen e këtij problemi, ministrja Gjosha ka kërkuar angazhimin e Komisionerit Hahn për “nisjen e një komunikimi zyrtar me përfaqësimin e të gjithë aktorëve kryesorë lidhur me reformën në drejtësi për të bërë të mundur vijueshmërinë me korrektësi të këtij procesi”.
Ndaj letrës së ministrit të Drejtësisë, ka reaguar presidenti Bujar Nishani, i cili i është drejtuar kryetarit të parlamentit dhe krerëve të të gjithave grupeve parlamentare duke kërkuar “zbatimin pa ekuivok të kushtetutës dhe ligjit në zbatimin e reformës në Drejtësi. Asnjë institucion apo strukturë jashtë kësaj kornize ligjore nuk do të mund të merrte atributet e një strukture të mirëpërcaktuar në kushtetutë”, shkruan zoti Nishani.
Sipas kreut të Shtetit “konsensusi politik i arritur për reformën në drejtësi kishte si qëllim t’i shërbente një procesi sa më transparent dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë. Besueshmëria, në asnjë rast nuk mund të arrihet nëse cenohet kushtetuta”, nënvizon presidenti Nishani.
Vënia në pikëpyetje e Bordit të Menaxhimit të OMN-së, duket se ka rikthyer përplasjet brenda shumicës. Sot ish kryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj, i është drejtuar me një letër drejtuesve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe Presidentit Bujar Nishani në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED) përmes procesit të shortit.
Xhafa shkruan se “më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vet rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë”.
Ai vijon më tej duke shtuar se “injorimi i këtij fakti, cenon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe komprometon sinqeritetin e faktorëve politik dhe institucional në deklarimet e tyre për të mbështetur procesin e reformës në drejtësi, por edhe angazhimet e tyre kushtetuese dhe ligjore në këtë proces”. Lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, pak kohë më parë kritikoi hapur Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, se nuk kishte zbatuar përcaktimet ligjore duke paraqitur vetëm 3 kandidatë për tre poste vakante, ndërkohë që institucionet e tjera, në të kundërt kishin paraqitur një listë me një numër më të madh emrash.
Por kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i doli në mbrojtje kryeprokurorit kur deklaroi se pas verifikimeve të mëtejshme, rezultonte se ishin respektuar kërkesat ligjore, sipas të cilave kandidatët duhen të kishin mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe se këtë kriter e plotësonin vetëm tre kandidatët e propozuar. Megjithatë, mediat nënvizuan se kriteri i Shkollës së Magjistraturës, nuk ishte konsideruar pengesë për kandidatët e institucioneve të tjera gjyqësore./VOA