Interes jashtëzakonisht i lartë nga studentët ekselentë për të fituar një vend pune në administratën publike, përmes platformës online punëtëmbarë.al. Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, deklaroi në studion e ERTV se deri tani janë mbi 900 aplikime nga studentët ekselentë në këtë platformë.
Ndërkohë që shumë studentë nuk kanë siguruar dot nga sekretaritë e fakulteteve dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin, qeveria ka vendosur të shtyjë afatin për aplikimet në platformë, për t’u dhënë kohë ekselentëve.
“Absolutisht që platforma ka gjetur interes të jashtëzakonshëm sepse aplikimet deri tani shkojnë në mbi 900 aplikime. Mos të harrojmë që akoma ka kërkesa që vijnë pranë DAP-it, nga studentë që duan të aplikojnë por për shkak se sekretaritë nuk funksionojnë siç duhet, studentët nuk kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm. Kjo është arsyeja pse qeveria ndërmori afatin për të shtyrë afatin e aplikimit, për t’u dhënë mundësi studentëve që të marin dokumentacionin. Interesi është i lartë por ndërkohë kemi filluar procesin e seleksionimit, pra kemi parë nëse të gjithë aplikantët plotësojnë kriterin e mesatares dhe gjatë këtij procesi kemi mundur të seleksionojmë si kandidatë potencialë rreth 400 aplikantë”, tha Koçiu.
Drejtoresha e DAP sqaroi se dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është shumë i thjeshtuar, një diplomë, lista e notave është e detyrueshme, vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore, karta e identitetit dhe një CV.
“Mjafton të klikosh në platformë, të krijosh një profil personal, të hedhësh dokumentacionin dhe të aplikosh në një nga shpalljet e vlefshme në platformë”, tha Koçiu.
Zyrtarja shpjegoi edhe një herë se për të fituar një vend pune në administratë, nuk është e vërtetë që nevojitet me patjetër edhe niveli master. Aktualisht sipas saj, janë mbi 500 vende të lira pune që kërkojnë vetëm nivelin bachelor.
“Janë mbi 500 pozicione për të cilat niveli minimal është niveli bachelor. Kush e ka bachelorin me një listë notash me mesatare 9 deri në 10, është i vlefshëm të vijë dhe të aplikojë në platformë duke patur në konsideratë që duhet të ketë mbaruar studimet nga viti 2017 e tutje. Kjo i pëgjigjet një shqetësimi që vinte në DAP me të sapodiplomuarit që thonin se ku do e zhvillojmë karrierën se nuk kemi eksperiencë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për këdo që kërkon vend pune, por nuk ka eksperiencë”, përfundoi Koçiu.