Këtë të mërkurë zhvillohet ceremonia e varrimit e efektivit Novruz Cenalia, i cili u vra nga 23-vjeçari Azgan Mërnica kur po shkonte në punë.
Në nder të policit të rënë “Shqiponjave” të Fierit ka mbajtur një fjalim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Ai u zotua para familjes së Cenalisë nga varrezat ku do të prehet efektivi i ndjerë për kapjen e autorit të kësaj ngjarje dhe kushdo që do të cënojë uniformën e policit do të përballet me ligjin.
“Familja e madhe e Policisë së Shtetit ndjen dhimbje e keqardhje. Fjalët janë të vështira për këtë dhimbje të policit të ri, jeta e të cilit u pre në mes në lule të rinisë. Ai ishte një nga njerëzit më korrektë dhe punëtorë të policisë, i rritur në një familje ku uniforma e policisë ishte 20 vjet e pranishme. Zotohemi se Policia e Shtetit do të punojë për kapjen e autorit dhe se kushdo që cënon uniformën e policit do të përballet ashpër me ligjin. Zotohem para familjes se do ta vendosim para ligjit autorin e krimit. Ne nuk do të rreshtim asnjë sekondë derisa drejtësia të ketë në dorën e saj kriminelin që shkrepi armën ndaj Novruzit. Si Drejtor i Përgjithshëm dua të garantoj familjen Cenalia se organizata jonë do të jetë pranë jush. Besoni te Policia e Shtetit dhe në emër të policisë garantoj se do të lartësohet figura e Novruz Cenalisë”, tha ai.
28-vjeçari Cenalia do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz. Në nder të tij, këtë të mërkurë u mbajtën homazhe në hollin e Teatrit Bylis në Fier. Me lot në sy, kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë atij lamtumirën e fundit. Në homazhe mori pjesë mes të tjerëve edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u shpreh se “gjaku i policisë është gjaku i shtetit”.
Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës teksa ishte nisur për në punë. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është 23-vjeçari Azgan Mërnica, i cili që prej atij momenti vijon të jetë në arrati. Shkak për ngjarjen tragjike dyshohet se u bë një konflikt i çastit.