“Oh dreqin, gabuam”. Këto ishin fjalët e Darren England, operatorit të sistemit VAR në ndeshjen Tottenham-Liverpool, që e kuptoi me vonesë gafën e bërë.
Edhe pse imazhet video tregonin se Luis Diaz ishte në pozicion të rregullt, vendimi i arbitrit për pozicion jashtë loje mbeti në fuqi dhe ndeshja vijoi. Një gabim i tmerrshëm në kampionatin më të fortë në botë, që vendosi teknologjinë në qendër të kritikave.
Përpos akuzave, në Angli kanë nisur të kërkojnë edhe heqjen e teknologjisë, që duhej të zgjidhte të gjithë rastet e dyshimta gjatë ndeshjeve, por në fakt po regjistron gabime trashanike, për episode të cilat kuptohen me sy të lirë.
Komiteti britanik i arbitrave publikoi bisedën ndërmjet arbitrave të sistemit VAR dhe operatorëve. Aty dallohet një mungesë e theksuar komunikimi dhe përqendrimi.
Kur ndeshja e fituar 2-1 nga Tottenhami ishte në barazim pa gola, Liverpool shënoi, por arbitri Simon Hooper akordoi pozicion jashtë loje pas sinjalizimit të asistentit.
Darren England në VAR njoftoi se kontrolli përfundoi, ashtu si ndodh pas çdo goli dhe loja vazhdoi. Megjithatë imazhet ishin të qarta, goli i Diaz ishte i rregullt dhe kjo dukej lehtësisht nga përdorimi i vijave 2-dimensionale në fushë.
Këtu problematika mori përmasa edhe më të mëdha, sepse Dan Cook, operatori i përsëritjeve të pamjeve njoftoi England për gafën. “Prit, në fushë u akordua pozicion jashtë loje. A është në rregull? Gabuam”, ishin fjalët e tij.
Teksa loja vazhdoi, fakti që goli ishte i rregullt nuk iu komunikua as arbitrave dhe as gjyqtarit të katërt.
VAR dhe asistenti provuan të kuptonin nëse mund ta ndërprisnin ndeshjen, për të shlyer gabimin, por England tha: “Nuk mund të bëjmë më asgjë”.
Një gafë e madhe, që vendosi Premier League në qendër të vëmendjes në të gjithë botën.