Politika “Vuçiçin duhet ta ndalim”, eurodeputetët rreshtohen në krah të Kosovës: Të ndëshkohet...

“Vuçiçin duhet ta ndalim”, eurodeputetët rreshtohen në krah të Kosovës: Të ndëshkohet Serbia

Parlamenti Europian - Foto ilustruese

Eurodeputetët diskutuan në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist që u organizua ndaj Policisë së Kosovës. Deputetët e PE-së kërkuan të vendoset drejtësia për këtë akt agresor, sanksione ndaj Serbisë ndërsa presidenti serb Vuçiç u quajt autokrat.

Komisioneri për çështje humanitare, Janez Lenarçiç foli në emër të Komisionit Europian në mungesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili ishte në udhëtim zyrtar.

Ai e kritikoi Serbinë për veprimet pas sulmit të 24 shtatorit, e cila i lartësoi tre sulmuesit serbë që u vranë pasi e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta.

“Retorika nga Serbisë sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për depërshkallëzim”, tha Lenarçiç.

Komisioneri shtoi se Bashkimi Europian pret prej Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.

“BE-ja po e ndjek afër hetimet në vijim dhe pret që kryesit të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve afër vijës kufitare administrative. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën”, u shpreh Lenarçiç.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.

Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se sulmi “brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë”.

Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiçit me Beogradin zyrtar “janë mëse evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

“BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Eurodeputeti holandeze Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiç”.

“Vuçiçin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.

Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputetë bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiçit si “mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.”

Eurodeputetja holandeze, Strik, pati kritika më të ashpra drejtuar Serbisë, dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiçit.

Ajo ka deklaruar se Bashkimi Evropian me heshtje e ka lejuar Vuçiçin që ta minojë stabilitetin e rajonit. Madje, Strik e quajti Vuçiçin autokrat.

“Të gjithë ishim të shokuar kur një bandë serbe e armatosur rëndë me lidhje të forta në dukje me qeverinë serbe, u fut në Kosovë dhe vrau brutalisht një oficer policie. Të tronditur, por jo të befasuar. Pasi këtu të çon strategjia e kënaqjes të cilin e aplikon Bashkimi Evropian. Me vite ne në heshtje kemi lejuar Vuçiçin ta minojë stabilitetin në rajon, të mbetet përkrahës i Kremlinit, t’i shkatërrojë të drejtat e minoriteteve në vendin e vetë. Ne e trajtojmë atë si mik, duke e nxitur të shkojë edhe më larg. Këtë bëjnë autokratët kur kanë mosndëshkueshmëri. Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin”, ka thënë ajo.

Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk, gjatë fjalimit të tij, Aleksandar Vuçiçit iu referua si “Vladimir Vuçiç”.

Kyuchyuk tha se është e pabesueshme që duhet të dëgjojmë përmes aleatëve tanë të vendosur, amerikanëve, për ngritjen ushtarake nga serbët.

Ndërkaq, eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, gjatë diskutimit për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se komisioni nuk duhet t’i kthehet punës së vetë të përditshme, sikur s’ka ndodhur gjë.

“Pas ngjarjeve të fundit njerëzit në Kosovë janë të frikësuar. Kujtimi i luftës dhe mizorisë është i pranishëm. Me udhëheqësit serbë, Komisioni europian nuk duhet t’i kthehet punës si zakonisht. Komisioni ka dështuar me politikën e vetë në Ballkanin Perëndimor”, tha tutje ai.

Eurodeputeti sllovak, Vladimir Biliçik, i cili është edhe raportues për Serbinë, e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për gjendjen në veri.

“Procesi i dialogut nisi të ngecë me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Refuzimi i tij për themelimin e Asociacionit krijoi situatën në të cilin ka ngecur dialogu. Nuk mund të ketë zgjidhje pa kompromis“, tha ai.

Eurodeputetët që e kritikuan Kosovën e bënë këtë kryesisht duke thënë se ajo “po tregon mosgatishmëri” për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Parlamenti Europian në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor do ta miratojë dhe një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.