Dritan Dajti mund të quhet fare mirë një “kriminel me shkollë”. Ai ka qenë një student i mirë i Fakultetit të Drejtësisë, deri pak përpara se t’i futej botës së krimit.
Kjo shpjegon edhe faktin se përse ai ka ditur kaq mirë të luajë me hetuesit e gjykatësit, me sorollatjet që bëri për shkak se deklaronte se nuk mund të merrte avokat, e atë duhej t’ia siguronte shteti. Por, sapo shteti caktonte njërin, e të tjerët me radhë pas tij, ata “avullonin”.
Por, Dajti është përmendur shpesh dhe vazhdimisht nga politika, me akuza e kundërakuza të ndërsjella mes partive politike. Dikush shprehej se ai ishte mik i familjes Berisha, ndërsa të tjerë akuzonin se ai kishte mbështetjen e të majtëve ndaj nuk jepej vendim kundër tij, por çështjet zvarriteshin.
Si për t’i dhënë fund diskutimeve shërben një intervistë e të atit të Dritan Dajtit, për një tjetër emision televiziv, ku shprehej se po, djali i tij ka qenë mik i Berishës.
Por si hyri në botën e krimit Dajti? Ai u arrestua në rrugën “Myslym Shyri”, si i akuzuar për vrasjen e një biznesmeni, vepër penale për të cilën mori një dënim, përpara se të arrestohej dhe të nxirrej para togave të zeza pas vrasjes së 4 policëve në Durrës. Një tjetër vepër penale që rëndon mbi të është edhe ajo e arratisjes nga burgu./TCH