Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Berat ka përfunduar investimi për instalimin e sistemit fotovoltaik, i cili mbulon rreth 40% të nevojës vjetore për energji elektrike për këtë drejtori. Një nisëm e cila do të ndikojë në uljen e kostove, por gjithashtu edhe në reduktimin e ndotjes së mjedisit.
Ky projekti i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur nga Drejtoria Rajonale e Beratit, ndërsa gjithë këtij viti do të shtrihet edhe në Drejtorinë e Tiranës dhe atë të Durrësit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Ilir Mëngra vizituan nga afër investimin e realizuar në DRSHTRR, Beratit, e cila tashmë ka edhe një godinë të re e ndërtuar sipas të gjitha parimeve të eficencës së energjisë.
“DPSHTRR ka nisur një program i cili nisë nga Berati, por do të zhvillohet edhe në Tiranë dhe Durrës për vendosjen e paneleve fotovoltaike të cilat përdoren për konsumin e vetë ndërmarrjes. Republika e Shqipërisë ka prej kohësh një kuadër ligjor i cili lejon të gjitha ato entitete, qofshin shtetërore apo private, që të ndërtojnë parqet e tyre fotovoltaike, brenda territoreve, ku ata operojnë dhe këto të shërbejnë për të plotësuar nevojat. Sigurisht një park fotovoltaik nuk plotëson 100% të nevojave, duke qenë se prodhon vetëm gjatës kohës kur ka diell, por nga ana tjetër ka dhe një instrument shumë të mirë që është ai i shkëmbimit të energjisë me OSHEE”, deklaroi ministrja Balluku.
Nga ana e tij, drejtori Mëngra tha se projekti është parashikuar që ti shlyejë kostot e veta brenda një periudhe kohore 6 vjeçare. “Janë montuar 206 panele fotovoltaike të cilat të gjitha së bashku realizojmë shkëmbimin e energjisë diellore në energji elektrike. Panelet lidhen me një inverter i cili bën shkëmbimin nga energji e prodhuar nga panelet në energji alternative për nevojat e rrjetit”, tha Mëngra.
DRSHTRR Berat renditet e 9-ta në rang kombëtar për numrin e shërbimeve të ofruara. Gjatë vitit 2023 kjo drejtori ka ofruar 130.540 shërbime për bashkitë Berat, Kuçovë, Dimal dhe Skrapar.