Kulturë Dua Lipa do të sjellë në Tiranë reperin e famshëm Fedez për...

Dua Lipa do të sjellë në Tiranë reperin e famshëm Fedez për Sunny Hill Festival

Tirana do të presë herë të parë “Sunny Hill Festival” dhe pjesë e festivalit që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar në 26 ,27, 28 gusht do të jetë edhe reperi i famshëm italian Fedez.

Këngëtari i “Mille”, “La Dolce Vita”, “Sapore” etj, do të performojë në kryeqytetin shqiptar falë ftesës së Dua Lipës dhe babait të saj, Dukagjin Lipa që është njëkohësisht ai që organizon dhe drejton eventin e rëndësishëm.

Lajmi u konfirmua nga vetë Fedez përmes një postimi në Instastory ku njoftonte ardhjen në Tiranë dhe falenderonte Dua Lipën dhe babain e saj. Fedez, përtej muzikës është personazh i dashur për shqiptarët dhe shumë i ndjekur prej tyre në rrjetet sociale. I martuar me një nga blogeret më të famshme të Italisë dhe jo vetëm, Chiara Ferragni, videot e çiftit dhe fëmijëve të tyre bëhen virale brenda pak minutash.

Nisur nga postimet dhe provat që lë Instagrami, Chiara dhe Fedez janë prej kohësh miq me Dua Lipën, gjë që shpjegon më qartë ardhjen e tij në “Sunny Hill Festival”.

Festivali do të mbahet në Parkun e Liqenit Artificial, ndërkohë që priten edhe emra të tjerë surprizë.