Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kaluar disa ditë pushimi në natyrën e egër siberiane, duke peshkuar, ecur në shtigje malore dhe duke u marrë me aktivitete të tjera fizike. Foto e publikuara nga Kremlini të dielën shkaktuan debate, pasi Putin duhet të ishte në vetizolim për shkak se disa persona nga rrethi i tij i ngushtë ishin me Covid-19.
Për të sqaruar keqkuptimin, Kremlini tha se pamjet ishin para se presidenti të merrte vesh për infektimin e personave pranë tij dhe futjes në vetizolim, për shkak të së cilës anuloi edhe një udhëtim në Taxhikistan, ku do të merrte pjesë në një samit për sigurinë.
Putin gjithmonë iu është shfaqur rusëve, por edhe pjesës tjetër të botës, si një “burrë i fortë”, që merret me ushtrime dhe aktivitete në natyrë. Pamjet e tij teksa ngiste kalin gjysmë i zhveshur disa vite më parë bënë xhiron e botës.
Këtë herë, ai u filmua duke peshkuar, e duke ecur nëpër livadhe, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, shokun e tij të zakonshëm në udhëtime të tilla.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të 68-vjeçarit, Kremlini tha se ai ndihet i shëndetshëm dhe pa probleme. Sipas raportimeve të autoriteteve ruse, Putin i ka marrë të dy dozat e vaksinës Sputnik V.