Pasi “Apple” hoqi Kosovën nga harta dhe nxiti reagime të shumta nga populli shqiptar, Dua Lipa mori vëmendjen e të gjithëve teksa i doli në mbrojtje kësaj çështjeve.
Ajo publikoi në Instagram flamurin e famshëm autokton të trojeve shqiptare, që tërboi serbët në vitin 2014 dhe i tërboi njësoj edhe një ditë më parë.
Krahas fotos, ajo shkroi edhe shpjegimin e fjalës “autokton”.
Postimi i saj ngjalli jo pak debat e pakënaqësi.
E zhgënjyer nga reagimet në postimin e saj, këngëtarja shqiptare publikoi një sqarim, duke treguar se nuk i pëlqeu aspak kjo që ndodhi.
Dua tregoi se është thjesht krenare për origjinën e saj dhe se Kosova meriton në hartë vendin që i takon, duke shtuar se qëllimi i saj s’ka qenë asnjëherë përçarja.
“Postimi im i mëparshëm nuk kishte si qëllim të përhapte urrejtje. Më mërzit dhe më zemëron fakti që postimi im është totalisht i keqinterpretuar nga disa grupe dhe individë që promovojnë përçarjen, diçka për të cilën jam totalisht kundër!
Sa herë që publikoj për Kosovën, njerëzit çmenden, edhe nëse është diçka e gëzueshme si muzika apo ushqimi dhe jam përballur me një rezistencë të egër për idenë e një kulture autentike të Kosovës.
Të gjithë meritojmë të jemi krenarë për origjinën tonë. Thjesht dua që vendi im të prezantohet në hartë dhe të kem mundësinë të flas me krenari për rrënjët e mia shqiptare. I nxis të gjithë të jenë krenarë për origjinën e tyre dhe të dëgjojnë e të mësojnë nga njëri-tjetri. Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë. Dua.”- ishin fjalët e saj në postimin ku edhe njëherë mori mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.