Kënga “Duje” e interpretuar nga Albina dhe familja Kelmendi është kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2023”. Tanimë është publikuar dhe versioni zyrtar i këngës, shoqëruar edhe me videoklip.
Është hera e parë që një familje përfaqëson vendin në këtë festival, dhe hera e tretë që është një artist nga Kosova. Kënga “Duje” është riokestruar në Stamboll.
Kënga ka pësuar disa ndryshime në orkestrim, por është mbajtur në gjuhën shqipe.
“Duje” ka një mesazh të veçantë, pasi flet për një familje e cila shkatërrohet për shkak të problemeve të përditshme dhe përçon thirrjen për ta mbrojtur, për ta dashur dhe të mos e shkatërrojmë për një fjalë.
“Do ju përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju falënderojmë pa fund”, kanë qenë fjalët e Albina Kelmendit pas marrjes së çmimit në funddhjetorin e vitit që lamë pas.
Këngëtarja shqiptare, Albina Kelmendi do të performojë këngën “Duje” në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision, më 11 maj në Liverpul të Anglisë.
Shqipëria në gjysmëfinale do të jetë përballë shteteve si: Armenia, Qipro, Danimarka, Estonia, Greqia, Islanda, Rumania, Australia, Austria, Gjeorgjia, Lituania, Polonia, San Marino dhe Sllovenia.
“Eurovision 2023” do të zhvillohet këtë vit në datat: 9, 11 dhe 13 maj në ‘M&S Bank Arena’ të Liverpoolit, ndërsa më herët u publikua edhe logo, e cila ishte një bashkim i ngjyrave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës.
Festivali i këtij viti do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pamundësisë për ta organizuar në Ukrainë, e cila fitoi në vitin 2022, për shkak të luftës.
Albina dhe Familja Kelmendi edhe pse nuk u shpall fituese e Fest ‘61, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023, pasi mori votat maksimale nga publiku. Këtë vit Festivali i Këngës në RTSH vendosi që për herë të parë kënga përfaqësuese në Eurovision të zgjidhej 100% nga votat e publikut.
Kënga “Duje” fitoi çmimin e dytë të Festivalit të Këngës në RTSH me vlerësimin e jurisë profesioniste, ndërsa Elsa Lila është fituesja e çmimit të parë të Festivalit të 61-të të Këngës në RTSH.
Vetëm 20 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të performuar në finalen e madhe më 13 maj, që do u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste (Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania) si dhe shteti fitues i vitit të kaluar (Ukraina), të cilët plotësojnë listën e 26 shteteve finaliste.
Mbetet për t’u parë nëse këngëtarja Albina Kelmendi do ia dalë të shkojë në finale.