Armand Duka ka qenë sot i pranishëm në Kukës, ku ka inspektuar punimet në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka folur edhe për mediat dhe mes të tjerash i është përgjigjur pyetjes në lidhje me të ardhmen e trajnerit të kombëtares, Edy Reja.
Duka është shprehur se italiani do të vijojë të mbetet në krye të kombëtares dhe vlerëson frymën e krijuar te kuqezinjtë gjatë periudhës që e drejton Shqipërinë. “Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por kur do ta bëjmë kontratën nuk ta them dot. Duhet ta diskutojmë këtë pjesë”, tha Duka.
Më tek ai analizoi edhe situatën në kombëtare dhe mendon se aktualisht kemi një ekip më të mirë se ai i Europianit: “Dy ndeshjet e fundit, ose tre bashkë me Islandën, kanë qenë të mira. Ekipi është rikthyer, ka fituar besimin te vetja. Në gjithë opinionin sportiv është rikthyer besimi, është rikthyer klima pozitive.
Kjo do e ndihmojmë më shumë ekipin, do i japë energji për dy ndeshjet e fundit, si dhe për kualifikueset e Botërorit dhe Nations League. Mendoj se më këto paraqitje, nëse do bëja një krahasim, kemi një ekip akoma më të mirë se në Euro 2016”.
Duka ka folur gjithashtu edhe për stadiumin e ri në kryeqytetet, që pritet të inaugurohet në ndeshjen me Francën. “Më pëlqen që pyetem për stadiumin kombëtar në Kukës. Do jetë gati, nga atje po vij. Ka shumë punë për t’u bërë, por do të arrijmë patjetër ta kemi gati për ndeshjen e 17 nëntorit. Kemi ndarë edhe ftesat dhe ne shqiptarët kur i shpërndajmë ftesat, e bëjmë dasmën”, përfundon Duka.