Sport Conte: Idetë e mija duan kohë, Lautaro të ulë kokën

Conte: Idetë e mija duan kohë, Lautaro të ulë kokën

Antonio Contes nuk i kanë pëlqyer 20 minutat e fundit kundër Sassuolos. Interi fitoi, por rrezikoi shumë. Nesër vjen Dortmundi në “San Siro” dhe gabimet të tilla nuk lejohen.

Trajneri zikaltër e di mirë rëndësinë e kësaj ndeshje. Interi nuk ka fituar ende në Evropë dhe nesër është një përballje e rëndësishme për kualifikim më tej. Conte analizon sfidën me verdhezinjtë dhe zbulon dëshirën e madhe.

DUELI – “Më duket e ekzagjeruar cilësimi i kësaj ndeshje si finale. Është vetëm një ndeshje e rëndësishme kundër një kundërshtari të fortë. Finalet zhvillohen më vonë. Kemi pasur vetëm një ditë kohë për të përgatitur këtë ndeshje. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe nuk duhet të humbasim topin siç bëmë kundër Sassuolos. Dortmundi ka lojtarë të shpejtë dhe mund ta na dëmtojnë në fushë të hapur”.

OBJEKTIVI – “Nuk më intereson shumë se kush i mungon ekipit gjerman. E shohim gjithmonë gotën gjysmë plot në lidhje me kundërshtarët. Le të mendojmë për veten tonë. Duam të ndërtojmë dhe të luajmë me qarkullim topi. Me kushtin që nuk do të pësojmë gola pas çdo topi të humbur si kundër Sassuolos. Nesër dua të shoh përmirësime. Do të provojmë për ta fituar këtë ndeshje, duhet të japim gjithçka nga vetja”.

MBROJTJA – “Kemi pësuar shumë në ndeshjet e fundit. Idetë e reja dhe një metodikë e re punë nuk mund të përthithen totalisht brenda 3 muajve. Disa situata duhen kuptuar më mirë, por kur luan çdo 3 ditë është e pamundur. Le ta shohim gotën gjysmë plot. Kemi shënuar 18 gola dhe jemi sulmi i dytë më i mirë në kampionat pas Atalantës”.

MARTINEZ – “Lautaro duhet të punojë, të ulë kokën dhe t’i japë gaz. Nuk duhet të mendojë se goli është gjithçka për një sulmues. Për mua nuk është kështu, duhet të vihet më shumë në dispozicion të skuadrës. Po punon mirë dhe po bëhet një sulmues i kompletuar. Më pëlqen shumë kur ndihmon skuadrën, dhuron asiste ose shënon. Ka një potencial të jashtëzakonshëm, por i duhet të përmirësohet akoma më shumë. E ka vetë në dorë nëse do të arrijë në majë apo të qëndrojë në një nivel mesatar. E njëjta gjë vlen edhe për Brozovic. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, Marcelo do të bëhet një futbollist i madh”.