Në një intervistë për media,t presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka konfirmuar përjashtimin e portierit Thomas Strakosha nga grumbullimi i rradhës i kombëtares kuqezi, duke theksuar se bëhet fjalë për një mungesë, por ai mbështet trajnerin Panucci dhe kjo është një fitore për disiplina pasi kombëtarja duhet të jetë mbi gjithçka. Duka preku edhe temën e dhunës në futbollin shqiptar pas ngjarjes që ndodhi në Fushë-Krujë.
STRAKOSHA – “Është një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm dhe një nga më kualitativët. Gjithsesi disiplina është lojtar akoma më i rëndësishëm për skuadrën. Nga ajo që kam folur me trajnerin, portieri nuk ka pasur arsye objektive që të mungonte. Humbim teknikisht, por fiton disiplina. Është një mësim për lojtarin, që kombëtarja është mbi gjithçka”, u shpreh Duka.
TENSIONI NË SUPERIORE – Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit komentoi edhe atë që ndodhi në ndeshjen e djeshme mes Kastriotit dhe Tiranës. Duka pranon se kushtet e sigurisë nuk plotësohen të gjitha në stadiumin “Redi Maloku”, por nga ana tjetër thekson se Policia bëri detyrën. “Në Kamzë thamë pse policia private nuk ndërhyri të ndalonte zyrtarët apo tifozët që shkuan drejt arbitrit, tani themi pse policia ndaloi trajnerin e Tiranës. Me gjithë respektin për të, Mema gaboi që hyri në fushë. Jam i sigurt që nuk do ta godiste arbitrin, por rregullorja të ndalon kur je me karton të kuq. Nuk kishte dhunë në fushë, por thjesht ndërhyrje për ta eliminuar atë që quhet dhunë. Kam pasur një takim me drejtorin e Policisë dhe është e rëndësishme që gjërat të ndahen mirë. Do bëhet edhe një marrëveshje për këtë”, tha mes të tjerash presidenti Duka.