Dubai është shndërruar në “parajsën” e bosëve të krimit, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe shumë vende të tjera të botës. Krerët e bandave kanë zgjedhur Dubain si vendin e tyre të sigurt për t’i shpëtuar drejtësisë në vendit e origjinës. Një nga arsyet është mos lejimi i ekstradimit të tyre dhe lehtësirat në qarkullimin e parave të pista që Dubai mundëson.
Për këtë çështje ka folur edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili ka deklaruar se pranë ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e Posaçme ka dërguar 4 kërkesa ekstradimi të shqiptarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por janë ende në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe.
“Prokuroria e Posaçme ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe. Ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim”, – tha Dumani për Tv Klan.
Kujtojmë që refuzimin e parë SPAK e mori për ekstradimin e Plaurent Dervishajt në 2020, i cili ka në Gjykatën e Posaçme të hapur dy procese si pjesëmarrës dhe organizator në atentate të ndryshme. Një vit më vonë, të njëjtin fat pati edhe kërkesa për Florenc Çapjen, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm.