Ekonomi Durrës-Prishtinë me tren, Balluku: Projekti për hekurudhën hapet këtë vit

Durrës-Prishtinë me tren, Balluku: Projekti për hekurudhën hapet këtë vit

Shqipëria do të investojë për hekurudha në të ardhmen. Një e tillë do të ndërtohet për të lidhur Durrësin me Prishtinën.

Për ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për të hapur këtë projekt.

“Kjo hekurudhë ka një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë që do të mundësojë transportin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Balluku në Prishtinë ku u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë në Transport, me pjesëmarrjen e të gjithë Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian, duke pasur në fokus bashkëpunimin mes vendeve të rajonit sa i takon përmirësimit të transportit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Balluku tha se, “një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të rishikojmë në këtë takim  është ai për rikualifikimin e rrjetit rrugor, korridorin hekurudhor etj. Objektivat strategjike kanë të bëjnë me rikualifikimin dhe rindërtimin e korridorit 8-të sipas standardeve evropiane. Lidhja hekurudhore prej Durrësit deri në kufi me Maqedoninë e Veriut është pjesë e një rrjeti gjithë përfshirës. Ne jemi të angazhuar të zhvillojnë rrjetin hekurudhor si rrjetin e gjelbër në dekadën e ardhshme dhe të  sigurt për ndikim në zhvillimin ekonomik të vendeve”.

“Ne jemi të interesuar  të përfitojmë nga instrumentet ekonomike. Shqipëria e ka gati studimin e fizibilitetit të korridorit 8-të hekurudhor nga Durrësi në Pogradec i financuar nga BERZH që paraqet në mënyrë të qartë ndikimin e këtij investimi në rajon”, u shpreh Balluku.

“Dua të evidentoj investimet e rëndësishme që janë bërë në korridorin 8-të edhe në ndërlidhje me Shqipërinë dhe Bullgarinë. Rikualifikimi i korridorit 8-të hekurudhor në territorin e Shqipërisë, i përmbush të gjitha kriteret dhe duhet të adresohet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo.

Balluku tha se, qeveria shqiptare ka strategji të qarta për zhvillimin e transportit të cilat i ka ndarë me partnerët ndërkombëtar por përmirësimet kanë kosto ndaj dhe jemi të kujdesshëm.

“Për sa i takim linjës hekurudhore Durrës- Prishtinë, ky është një investim i rëndësishëm me ndikim në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ne kemi filluar të punojmë për këtë projekt që synojmë të fillojmë këtë vit”, deklaroi ministrja. /a.a/