Dy shtetas rusë, Georg Budanov dhe Vladislav Cherkasov janë vendosur nën hetim nga prokuroria e Tiranës si të dyshuar për spiunazh, për dy vepra të Kodit Penal 213 dhe 214 dhe që bëjnë fjalë për dhënie dhe sigurim informacioni.
Sipas një lajmi që raporton Top Channel i cili u referohet burimeve të sigurta thuhet se rusi i parë, Budanov hyri në Shqipëri përmes Qafë Thanës në 1 mars 2021. Ai u prezantua si biznesmen që ishte i interesuar të investonte në qytetin e Vlorës. Por veprimtaria e tij, me gjithë informacionin sekret shikohet e dyshimtë nga hetuesit që dyshojnë se Budanov qëndroi në Orikum gjatë kohës që në Vlorë kryhej stërvitja Defender Europe, një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake e zhvilluar ne Evropë. Rusi u dëbua nga policia kufitare qendrore në datën 10 maj, nën argumentin që nuk përmbushte kushtet e qëndrimit në Shqipëri.
Rusi i dyte Cherkasov hyri në 12 maj përmes Muriqanit. Edhe ai u intervistua, ndërsa nuk u lejua që të fuste në vendin tonë dronin. Ai u mbajt nën vëzhgim gjatë 3 ditëve qëndrimi dhe çdo lëvizje e tij dhe e personave që ka takuar është referuar ne prokurori. Cherkasov u vëzhgua në distancë nga anti-terrori shqiptar thanë burimet e sigurta të Top Channel, rezulton se ai qëndroi në një hotel luksoz në Tiranë, pa u regjistruar me identitetin e tij të vërtetë, e mandej u zhvendos në Durrës, ku dhe qëndroi vetëm 3 ditë për t’u larguar më pas nga Shqipëria.
Trupat e mbërritura nga 26 shtete, nën drejtimin e amerikanëve zhvilluan operacione stërvitore në portin e Durrësit, bazën ajrore të Kuçovës, Berat, Zall-Herr, Bizë, Pashaliman dhe bazën ajrore të Farkës.
Stërvitja e “Defender Europë 21”, që u mbajt nga datat 1 maj deri më 14 qershor kishte natyrë mbrojtëse dhe përqendrohej në parandalimin e agresioneve ndërsa përgatiti forcat tona për t’iu përgjigjur krizave nëse është e nevojshme.
Shqipëria ishte një ndër 16 shtetet ku u zhvillua stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21”. Vendi ynë u përzgjodh si një nga shtete e tjera për shkak të vendndodhjes strategjike dhe faktit se ka qenë një partner i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh.