Kandidatja demokrate për zv.presidente, Kamala Harris, do të pezullojë aktivitetet elektorale me pjesëmarrje fizike, deri të hënën, pasi dy anëtarë të fushatës së saj, rezultuan me koronavirus.
Megjithatë, Harris nuk ishte në atë që Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përcaktojnë si kontakt të ngushtë me secilin person, deklaroi menaxherja e fushatës së Biden, Jen O’Malley Dillon.
Udhëtimi i planifikuar i Harris në Karolinën e Veriut u anulua dhe ajo do të qëndrojë në izolim deri të hënën.
“Asnjë nga këta njerëz nuk kanë pasur kontakte me Joe Biden, Senatoren Harris ose ndonjë staf tjetër që nga testimi pozitiv ose në 48 orë para rezultateve të tyre pozitive”, tha O’Malley Dillon.
Po ashtu, zyrtarët sqaruan se Harris ka kryer dy teste për koronavirus që nga 8 tetori, duke përfshirë një të mërkurën dhe ka rezultuar negativ.
Të dy të infektuarit ishin me Harris në një fluturim më 8 tetor, një ditë pas debatit të saj me Zëvendës Presidentin, Mike Pence.
“Gjatë fluturimit, Senatorja Harris kishte një maskë N95, ashtu si të dy individët e infektuar”, theksoi O’Malley Dillon.