Nga Anders Fogh Rasmussen dhe Holger K. Nielsen*
Ne shpesh s’kemi rënë dakord mbi politikat e jashtme të Danimarkës.
Megjithatë, të dy duam një Danimarkë të sigurt dhe që mbështet liritë dhe demokracitë kudo në botë. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë në Europë është nëse kontinenti është i bashkuar dhe i pandarë, i fortë dhe i sigurt.
Prandaj, Danimarka duhet të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e ardhshëm në BE.
Jemi të zhgënjyer nga fakti se Kryeministrja Mette Frederiksen doli kundër kësaj në debatin që zhvilluan krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mbi këtë çështje para disa muajsh. Shpresojmë që qeveria ta ndryshojë këtë qëndrim shpërfillës në javët dhe muajt e ardhshëm.
Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë vënë në jetë reforma domethënëse në përgatitje të vendeve të tyre për të qënë pjesë e BE-së. Kanë zbatuar reforma gjithpërfshirëse në drejtësi dhe kanë rritur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me qeveritë Franceze dhe Hollandeze për t’i dhënë fund krimit të organizuar.
Ka ende shumë çështje të pazgjidhura, të cilat reflektohen edhe në protestat e rregullta kundër politikave të qeverisë. Kjo është edhe arsyeja pse është kaq e rëndësishme të fillojnë negociatat me BE-në. Një anëtarësim i mundshëm në BE në të ardhmen është një motor që do të drejtojë të gjitha reformat. Perspektiva e anëtarësimit në BE e ndihmon Ballkanin të marrë drejtimin e duhur.
Vetëm një gjeneratë më parë, rajoni ishte i zhytur në konflikte etnike shkatërrimtare, ku u desh të dërgonim trupa daneze për të kontribuar në rivendosjen e paqes. Njëzet vjet më vonë, prespektiva e një të ardhme europiane ka sjellë pajtimin dhe stabilitetin në rajon.
Pas vlerësimeve të kujdesshme, Komisioni Europian deklaroi që si reformat shqiptare, ashtu edhe ato të Maqedonisë së Veriut i plotësonin kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Negociatat duhet të fillonin që vitin e kaluar.
Fatkeqësisht, liderët francezë dhe hollandezë i bllokuan ato. Ky veprim ka shkaktuar frustrim të thellë në të gjitha shtetet fqinje të BE-së sepse ato nuk mund të mbështeten më tek premtimi i bllokut.
Debati për zgjerimin e mundshëm të BE-së është plot me histori të rreme që kriminelë të grupeve të organizuara do të kenë mundësi të lëvizin lirisht për në Danimarkë. Kjo nuk është e vërtetë. Përkundrazi, procesi i BE-së do të ketë në fakt efektin e kundërt.
Duke lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut një procedurë formale, ato do të detyrohen të përshpejtojnë reformat kundër korrupsionit, reformat në polici dhe në sistemin e drejtësisë, për të cilat si Ballkani ashtu edhe e tërë Europa kanë nevojë. Procesi do të rrisë bashkëpunimin ndërkufitar mes policisë dhe gjyqësorit nëpër tërë BE-në.
Nisja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do përforcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe emigrimit të paligjshëm. Le ta kemi shumë të qartë: nisja e negociatave të anëtarësimit në BE nuk do të thotë që do t’u jepet statusi anëtar. Anëtarësimi në BE nuk është një ngjarje e vetme apo një firmë në një traktat.
Është një proces i gjatë reformimi që kërkon demokratizimin dhe mirëqeverisjen, që garanton liritë dhe sundimin e ligjit.
Para se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund t’i afrohen anëtarësimit, ata duhet të plotësojnë të gjitha kushtet e BE-së. Kjo do të thotë që ligjet dhe rregullat e tyre duhet të jenë në standardet tona.
Për të ndodhur kështu do të duhen disa vite. Nëse është e nevojshme për të arritur një konsensus në BE, ne do të propozonim vendosjen e kërkesave edhe më strikte për shtetet që kandidojnë në të ardhmen, në krahasim me ato të së shkuarës. Komisioni Europian ka prezantuar së fundmi një propozim për kritere të tilla më të ashpra. Mes të tjerash, kjo nënkupton që pengesat në vende të caktuara mund të mbajnë peng edhe bashkëpunimin me BE-në.
Nga njëra anë, shtetet kandidate do të mund të fillojnë bashkëpunimin me BE-në në fusha të caktuara sapo të kenë arritur rezultate të prekshme. Dhëmb për dhëmb: sa më shpejt e sa më mirë t’i plotësojë kandidati kushtet e BE-së, aq më afër do të jenë me bllokun, dhe aq më shumë do t’i ndihmojmë për të ecur më tej. Alternativa tjetër, përveç nisjes së bisedimeve për anëtarësim nuk është që të vazhdojë situata e tanishme.
Nëse këmbëngulim t’i mohojmë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut aspiratën për anëtarësim në BE, do të ketë dy pasoja kryesore: së pari, qeveritë pro-Europiane dhe reformiste do ta humbin mbështetjen e popullit për programin e reformave. Do të ketë efekt përtej kufijve të vendit në fjalë. Lufta kundër krimit të organizuar do të bëhet më e vështirë. Njerëzit që nuk do të shohin një të ardhme europiane në Shqipëri apo në Maqedoninë e Veriut do të mundohen të krijojnë të ardhmen e tyre Europiane duke emigruar në BE.
Së dyti, jo-ja e BE-së ka krijuar një hapësirë që mund të mbushet nga Rusia dhe Kina. Të dy këto vende janë tashmë aktive në rajon – Kina përmes parave, ndërsa Rusia me anë të bashkëpunimeve ushtarake. Të dyve u leverdis destabiliteti Ballkanik. Synimi ynë është për paqe dhe stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Europës. Prandaj Shqipëria i është bashkuar NATO-s në 2009 dhe Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet këtë vit.
Me refuzimin për të nisur negociatat me këto dy shtete, BE-ja po zhbën përpjekjet për paqe dhe stabilitet që përbëjnë interes strategjik për NATO-n.
Për më tepër, zgjerimi i BE-së sjell para dhe punë. Një analizë e kohëve të fundit nga Dansk Erhverv tregon se zgjerimi i BE-së drejt lindjes ka rritur prodhimin e brendshëm bruto Danimarkës me 47 miliardë korona dhe ka prodhuar 57,000 vende të reja pune. Prandaj, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i përmbushin një ditë kriteret për anëtarësim në BE, kjo do të përkthehet në rritje të mundësive të eksportit për kompanitë daneze dhe në më shumë punësim për qytetarët e Danimarkës.
Ne shpresojmë që qeveria të rishikojë arsyet për bllokimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Të dy shtetet paraqesin disa sfida, por po ecin në drejtimin e duhur. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që t’i lëmë vendet e Ballkanit të shkojnë pas në kohë. Shumë shpesh në histori, përplasjet në Europën juglindore kanë sjellë luftë dhe konflikte në Europë.
Tani kemi mundësinë t’i mbajmë këto shtete në rrugën drejt bashkëpunimit europian, që do të sjellë më shumë liri, paqe dhe shpirt komunitar. Për këtë shkak shpresojmë që Kryeministrja të mund të lërë pas skepticizmin dhe që shumica në parlament të mbështesin një vendim pozitiv kur të ringrihet sërish kjo temë në BE, ndoshta që në Mars.
*****
Anders Fogh Rasmussen, ish-Kryeministër dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s
Holger K. Nielsen, ish-Kryetar i partisë socialiste daneze dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Artikulli origjinal mund të lexohet duke klikuar KËTU