Të vegjlit e kryeqytetit do të kenë mundësi sot që të njihen me personazhet më të dashura të përrallave ndërkohë që nuk do të mungojë edhe muzika për ta.
Me moton “Eja Luaj në Parkun Tënd”, sot në orën 10:30 në Zoo Park, shkrimtari shumë i dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, do të risjellë për dëgjuesit e vegjël aventurat e Çufos dhe Bubit kaçurrel, personazheve më të dashura të përrallave.
Ndërsa profesor Ilia Lëngu, do t’i njohë të vegjlit më shumë me kërpudhat duke ngjallur tek ta dashurinë për natyrën dhe rritjen në një ambient të shëndetshëm. Gjithashtu pjesë e organizimit janë edhe lojërat e shahut, kërcimi e plot animacione të ndryshme që Bashkia e Tiranës ka menduar për fëmijët e kryeqytetit.
Me krijimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit tre vite më parë nga kryebashkiaku Veliaj, Kopshtit Zoologjik (Tirana Zoo Park) iu rikthye sërish vëmendja e munguar prej vitesh. Filloi puna për rehabilitimin e këtij territori, riparimin e stolave e gjithçka që ishte në gjëndje të mjerueshme.